Një konkurs i Ministrisë së Shëndetësisë i shpallur më datën 21 të këtij muaji, ka shkaktuar pakënaqësi tek disa mjekë specialist.
Ata po pretendojnë se në konkurs, në vend të 181 pozitave të lira, është dashur të shpallen 220, aq sa është numri i specialistëve, shkruan Gazeta Shneta.
Një nga ta, Agron Spahiu, endokrinolog, thotë se 3 vjet ka qenë i pa punë, derisa është punësuar me kontratë mbi vepër që 6 muaj. Edhe kjo do t’i skadojë më 16 prill dhe Spahiu frikësohet se do të mbetet sërish pa punë.
“Në konkursin e Ministrisë së Shëndetësisë, në drejtimin tim nuk është shpallur asnjë pozitë e lirë. Në MSH thonë se s’ka pas kërkesa për endokrinologen, por e njëjta situatë është edhe me biokiminë ku s’ka pas kërkesa, ndërsa janë shpallur 9 vende pune”, deklaron Spahiu.
Specialistët sot kishin organizuar një protestë para Kuvendit të Kosovës, por që duket se jo të gjithë ishin të gatshëm të dilnin në shesh për t’i shprehur kërkesat e tyre. Ata nuk arritën të mblidheshin të gjithë për të protestuar, para fillimit të seancës së Kuvendit në ora 10:00.
Valon Bytyçi, specialist-fiziatër, thotë se numri i tyre ka qenë rreth 40, por për shkak të mungesës së një konkursi deri tani numri i specialistëve ka arritur në 220.
Ai thotë se kanë një vendim të Kuvendit të Kosovës, në bazë të të cilit është caktuar buxhet për kaq vende pune për specialistët.
“Buxheti është ndarë për këtë numër të mjekëve, ndërsa konkursi është shpallur vetëm për 181 mjekë. Prandaj ne kemi protestuar që të përfshihet numri i lëmive të ndryshme sepse nuk ka qenë një ndarje e mirë varësisht prej kërkesave që i kanë bërë drejtorët e klinikave”, ka deklaruar Bytyçi.
Ai thotë se për këtë çështje janë takuar edhe me ministrin e Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili u ka thënë se konkursi është shpallur në bazë të kërkesave të SHSKUK-së.
“Por ne konsiderojmë se nuk është bërë ndarje e barabartë e mjekëve”, shton specialisti.
Ai shprehet se konkursi nuk ka qenë korrekt pasi nuk janë përfshirë të gjitha nevojat e klinikave dhe është dashur të ketë kritere varësisht prej kohës së pritjes dhe notës mesatare.
“Ne po shpresojmë që të ketë edhe një konkurs tjetër për ato pozita që janë të lira”, deklaron ai.
“Jo”, thotë Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, “le ta kryejmë niher këtë konkurs, pastaj shohim se çfarë do të mund të bëhet”, shton ai.
Hoti e sheh problemin e specialistëve ndryshe. Ai deklaron se specialistët nuk mund ta dinë se kush do të zgjedhet.
“Mundet me pas edhe më shumë mjekë, sepse vazhdimisht dikush specializon. Konkursi është hapur në bazë të kërkesave të SHSKUK-së dhe ata të gjithë do t’iu nënshtrohen kritereve”.
“Ata po e paragjykojnë rezultatin e konkursit dhe secili e ka frikën se nuk do të zgjedhën”, deklaron Hoti.
Ai ka shtuar se kontrata mbi vepër nuk do t’iu vazhdohet më pas këtij konkursi kur ata do të punësohen me kontrata të rregullta. /Gazeta Shneta/