Specializantët e psikologjisë klinike po e kundërshtojnë mbajtjen e një testi me shkrim të vendosur nga Komiteti Specialistik. Ata thonë se e kanë përfunduar mbi 80 përqind të programit. Bordi thotë se nuk përzihet në çështjet e Komitetit.
Dhjetra specializantë të psikologjisë klinike po e kundërshtojnë një vendim të Komitetit Specialistik për mbajtjen e një testi me shkrim për kompensimin e orëve të humbura gjatë shkollimit specialistik, shkruan Gazeta Shneta.
“Ju njoftojmë se kompensimi i orëve teorike të humbura përgjatë shkollimit specialistik do të mbahet më 23 dhjetor 2025 në tre grupe të specializantëve, varësisht nga numri i orëve që keni nevojë t’i kompensoni”, thuhet në njoftimin që Komiteti ua ka përcjellur specializantëve.

Në këtë njoftim thuhet se testi është i personalizuar bazuar në orët që duhet të kompensohen dhe pjesëmarrja është obligative.
Por këtë vendim po e kundërshtojnë specializantët, të cilët thonë se e kanë përmbushur mbi 80 përqind të shkollimit specialistik andaj nuk është e nevojshme t’i nënshtrohen këtij testi.
“Specializantet kane permbushur te gjitha obligimet qe dalin nga ky program tek pika 3 – Obligimet e specializantit, por komiteti specialistik ka nxjerr vendim qe ti nenshtrohemi testimit pa ndonje kriter ligjor, ani pse secili kemi permbushur 80% te pjeses teorike dhe kemi plotesuar çdo kriter per tju nenshtruar provimit specialistik”, thuhet në një letër dërguar në adresë të Gazetës Shneta.
Ata pretendojnë se ky test po bëhet me qëllim për të vonuar procesin per qellime te caktuara.
“Shkollimin specialistik e kemi filluar ne Nentor te vitit 2020 dhe sipas kontrates ne Nentor 2023 ne eshte dashur te perfundojm dhe t’i nenshtrohemi provimit specialisitk, kjo nuk ka ndodhur por na eshte vazhdu afati edhe me nje aneks vendim nga Ministria e Shendetsis edhe deri ne Maj 2025, gje e cila edhe kjo ka kaluar dhe tashme jemi ne fund te vitit 2025 dhe sipas ketyre vendimeve qe komiteti i merr pa asnje baze ligjore, synimi eshte qe te demtohet procesi ku ne vend qe specializantet te pergatiten per provimin specailistik, ata duhet te pergatiten per testime qe thjesht jane tendencioze dhe nje Zot e din kur do perfundon procesi i specializimit”, thuhet në letrën e tyre.
Gazeta ka kërkuar një përgjigje edhe nga Bordi për Shkollimin Specialistik në Ministrinë e Shëndetësisë, dhe nëse ky vendim është në përputhje me kompetencat e Komitetit, por të njëjtit kanë deklaruar se nuk përfshihen në vendimin e Komitetit Specialistik.
“Çështjet që lidhen me hartimin, organizimin, mbikëqyrjen dhe zbatimin e programit specialistik, si dhe vlerësimi i realizueshmërisë dhe arritshmërisë së tij, për secilin specializim dhe specializant, janë në kompetencë të plotë të Komitetit Specialistik (shih nenin 8 të UA 01/2023) dhe Mentorëve Klinikë (shih nenin 10 të UA 01/2023), të cilët janë ekspertët e ngushtë të fushës”, kanë deklaruar nga Bordi. /Gazeta Shneta/




