Në vitin 2024, rreth 1.4 miliardë njerëz në mbarë botën jetonin me hipertension, një nga faktorët kryesorë të vdekjeve globale.
Tensioni i lartë i gjakut rrit rrezikun për sëmundje të zemrës, goditje në tru, insuficiencë kardiake, sëmundje të veshkave, demencë dhe humbje të shikimit.
Ndërsa disa faktorë rreziku si gjenet dhe etnia nuk mund të ndryshohen, mënyra e jetesës luan një rol të rëndësishëm, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një dietë e shëndetshme për zemrën, aktiviteti fizik, ruajtja e peshës së shëndetshme dhe menaxhimi i stresit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut.
Ushqyes të caktuar si kaliumi, magnezi, kalciumi dhe fibra dihet se mbështesin kontrollin e tensionit të gjakut.
Për të siguruar marrjen e këtyre mikroelementeve, më shumë se një e treta e të rriturve në SHBA dhe Evropë marrin një multivitaminë ditore.
Një studim i ri i publikuar në “American Journal of Hypertension”, sugjeron se përdorimi afatgjatë i multivitaminave mund të ulë rrezikun e hipertensionit dhe të përmirësojë nivelet e tensionit tek të moshuarit me dietë me cilësi të ulët.
Studimi bazohet në të dhënat e COSMOS, që përfshiu rreth 8,900 gra mbi 65 vjeç dhe burra mbi 60 vjeç, për të testuar efektet e ekstraktit të kakaos dhe suplementeve multivitaminë-mineral.
Sipas autorit kryesor, Dr. Rikuta Hamaya, hipertensioni mbetet i përhapur tek të moshuarit dhe trajtimi shpesh nuk ndiqet si duhet. Ai thekson se vitaminat dhe mineralet luajnë rol biologjik në rregullimin e tensionit, ndaj suplementimi mund të jetë një mjet i thjeshtë dhe i arritshëm për parandalim.
Hamaya shton se studimet e mëparshme që analizonin vetëm një nutrient, si vitamina D ose E, kanë dhënë rezultate të paqëndrueshme.
Multivitaminat, falë gamës së gjerë të mikroelementeve, mund të ofrojnë një efekt sinergjik dhe përdoren gjerësisht në SHBA, duke i bërë ato një opsion praktik për mbështetjen e shëndetit kardiovaskular. /Gazeta Shneta/

