Shërbimet Emergjente Shëndetësore në Kosovë ofrohen vetëm përmes transportit rrugor, pasi që Ministria e Shëndetësisë nuk ka arritur deri më tani të siguroj helikopter emergjent për nevoja të pacientëve.
Përmes autoambulancave pacientët arrijnë të marrin ndihmën e parë mjekësore por mirëmbajtja e tyre nuk është në nivelin më të mirë të mundshëm për shkak të vjetërsisë së tyre, e spitalet përveç kësaj, kanë nevojë të shtohen kapacitetet sa i përket autoambulancave.
Ndonëse Komuna e Vushtrrisë ka mbi 60 mijë banorë spitali është duke menaxhuar ofrimin e shërbimeve të urgjencës së kësaj komune dhe rrethinës me vetëm një autoambulancë funksionale, pasi që autoambulanca tjetër është në riparim.
Shefi i personelit shëndetësor në Spitalin Regjional “Sheikh Zayed” të Vushtrrisë, Abdullah Klinaku, thotë se spitali ka nevojë edhe për dy autoambulanca, por ai bënë të ditur se e kanë të pamundur furnizimin me to përmes mjeteve vetanake.
“Njëra është donacion nga Ministria e Shëndetësisë ndërsa tjetra është donacion nga një kompani private e mërgimtarëve nga Suedia”, tregon ai.
Mungesën e autoambulancave e ka konfirmuar edhe vet drejtoresha e këtij spitali, Shefkije Shatri.
Sa i përket shoferëve të autoambulancave, Klinaku, thotë se momentalisht kanë një shofer të autoparkut si dhe pesë shoferë të autoambulancave të cilët, sipas tij, nuk janë të pajisur me licencë për vozitje.
“Vozitësit kanë përvojë pesë vjeçare në Spital. Ndërsa jemi në pritje të organizimit të kursit të vozitjes emergjente për çka kemi kërkuar nga Shkolla e Policisë”, sqaron ai.
Shoferë me leje të vozitjes por të palicencuar për vozitje të autoambulancave ka edhe në spitalin fqinjë, në Mitrovicë të Jugut.
Në spitalin “Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë të Jugut janë pesë shoferë dhe pesë autoambulanca, shoferët në këtë spital nuk kanë licencë.
“Jemi në kontakt me ShSKUK dhe MSh për të kryer trajnime për vozitës dhe të shohim mundësinë nëse mund të pajisen me licenca”, thotë Nita Mustafa, zëdhënëse për media në Spitalin e Mitrovicës së Jugut duke mos dhënë sqarim pse nuk janë pajisur me licencë deri më tani.
Zëdhënsja gjithashtu sqaron se katër autoambulanca i kanë pranuar donacion, përderisa thekson se hera e fundit kur kanë pranuar autoambulanca ka qenë viti 2020, e dhuruar nga BE në koordinim me Ministrinë e Shëndetësisë.
Sipas të dhënave të dërguara për Gazetën Shneta, kuptojmë që në këtë spital autoambulanca Wolkswfagen – VW T4 është prodhuar 11 vite më parë, në vitin 2001 dhe ende është në funksion. Ndërsa autoambulancat tjera janë të viteve 2009, 2010,2015 dhe 2020.
Spitali Regjional në Komunën e Gjilanit ka pesë autoambulanca mirëpo drejtori i këtij spitali, Arsim Emini, thotë se kanë nevojë për më tepër të tilla. Edhe në këtë spital autoambulancat janë të pranuara përmes donacioneve dhe viti i prodhimit të tyre, më i vjetëruari është në vitin 2012.
“Nuk janë të mjaftueshme (autoambulancat). Ndonjëherë dëmtohen edhe duhet të riparohen”, sqaron drejtori në një prononcim për Gazetën Shneta.
Ai shton se spitali posedon gjashtë shoferë të cilët janë trajnuar në Vushtrri për vozitje të autoambulancave.
Për shoferë të autoambulancave ka nevojë edhe Spitali Rajonl në Ferizaj, në mënyrë që shërbimi emergjent i cili ofron shërbim 24 orë të posedojë dy shoferë në dy oraret e punës.
Sipas UD drejtorit të Spitalit, Isa Berisha, spitali ka tre autoambulanca dhe pesë shoferë.
“Njërën nga autoambulancat e kemi pranuar nga Ministria e Shëndetësisë në fund të viti të kaluar me 00 km. Me autoambulanca gjendja është e mirë, mirëpo problem është tek shoferat. Na duhen më tepër shoferë që të mund t’i kemi dy shoferë në shërbimin 24 orë. E mbulojmë shërbimin vetëm me një shofer, që konsiderojë se nuk janë të mjaftueshëm”, shprehet ai, përderisa shton se të gjithë shoferët janë të licencuar.
Dy vite më parë Spitali i Përgjithshëm në Pejë përmes buxhetit të spitalit është pajisur me tre autoambulanca ndërsa një vit më parë ky spital është furnizuar edhe me një autoambulancë nga Ministria e Shëndetësisë si donacion.
Aktualisht spitali posedon shtatë autoambulanca.
“Ne kemi shtatë shofer dhe të gjithë janë të licensuar”, thonë shkurtimisht nga spitali.
Në vitin 2020 një autoambulancë për spitalin e Prizrenit e kanë blerë dy qytetarë të kësaj komune. Kështu kanë bërë të ditur nga Spitali Rajonal në Prizren, ndërsa katër autoambulanca të tjera janë pranuar si donacione.
“Një autoambulancë nga Pubulli Turk (Ford viti i prodhimit 2011) Dy autoambulanca nga Qeveria e Japonisë (Opel Vivaro- viti prodhimit 2014) Një autoambulancë nga Donacioni Evropian përmes ministrisë (Opel Movano viti 2020)”, tregon drejtori i spitalit, Shefajet Berisha për Gazetën Shneta.
Drejtori thotë se të gjithë shoferët janë të licencuar si dhe autoambulancat kanë regjistrim.
Në anën tjetër, Gazeta ka adresuar pyetje në Ministria të Shëndetësisë dhe në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për moslicencim të shoferëve dhe mungesë të autoambulancave si dhe ka kërkuar informacion për autoambulancat nëpër klinikat e QKUK -së mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.
Ligji për Shërbimet Emergjente
Shërbimi Emergjente zbatohet në nivelin paraspitalor dhe spitalor gjatë 24 orëve në shtatë ditë të javës.
Ligji Nr. 05/L -024 për Shërbime Mjekësore Emergjente, Neni 6, thotë se veprimtaria themelore e Shërbimit Mjekësor Emergjent paraspitalor përfshin: reagimin e shpejtë në thirrje, trajtimin e pacientëve në vendin e ngjarjes, stabilizimi i pacienteve emergjent dhe transportimin e pacienteve me rrezik jete.
Veprimtarinë e Shërbimit Mjekësor Emergjent e kryejnë mjeku specialist i emergjencës, mjeku familjar dhe mjeku i përgjithshëm, paramediku – teknik mjekësor emergjent dhe infermieri.
Sipas Nenit 20, të këtij Ligji Aftësimi themelor i mjekëve dhe infermierëve për punë në shërbimin mjekësor emergjent përfshinë aftësimi themelor dhe i avancuar i mjekëve dhe infermierëve për punë në shërbimin mjekësor emergjent realizohet sipas planit dhe programit të përcaktuar nga Klinika Emergjente në bashkëpunim me Odat e Profesionistëve Shëndetësor.
Mjekët dhe infermierët janë të obliguar ta kryejnë aftësimin themelor para fillimit të punës në shërbimin mjekësor emergjent. Aftësimi themelor, i avancuar dhe edukimi i vazhdueshëm i personelit të përfshirë në shërbimin mjekësor emergjent kryhet nga Klinika Eergjente dhe qendrat për trajnim profesional. /Gazeta Shneta/