Menaxhmenti i spitalit “Attikon” në Haidari të Greqisë ka deklaruar se situata pas paraqitjes së disa rasteve me norovirus është nën kontroll dhe se nuk ka rrezik serioz për shëndetin publik apo funksionimin normal të institucionit.
Sipas autoriteteve spitalore, menjëherë pasi u identifikuan rastet e para me gastroenterit akut, u aktivizuan të gjitha protokollet e mbikëqyrjes dhe parandalimit të infeksionit, në bashkëpunim të ngushtë me Komitetin e Infeksioneve Spitalore dhe autoritetet shëndetësore përkatëse, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Testimet laboratorike kanë konfirmuar deri më tani nëntë raste të dyshuara me norovirus, ndërsa hetimet epidemiologjike vazhdojnë.
Rastet e regjistruara përfshijnë pacientë, familjarë shoqërues dhe punonjës shëndetësorë, të cilët kanë shfaqur simptoma të lehta dhe kalimtare.
Sipas deklaratës, norovirusi është një infeksion shumë ngjitës që shfaqet shpesh në spitale dhe në komunitet, sidomos për shkak të përhapjes së shpejtë të virusit.
Për të kufizuar përhapjen e infeksionit, janë ndërmarrë masa të shtuara sigurie dhe higjiene.
Këto përfshijnë larjen e detyrueshme të duarve me ujë dhe sapun, pasi virusi është rezistent ndaj dezinfektuesve me bazë alkooli, dezinfektimin intensiv të sipërfaqeve me solucion klori, përdorimin e pajisjeve mbrojtëse personale dhe izolimin e rasteve sipas protokolleve ndërkombëtare. /Gazeta Shneta/




