Franca do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të mbulojë financiarisht barnat për humbje peshe, duke nisur nga 15 qershori.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, njoftoi se medikamente si Wegovy dhe Mounjaro do të përfshihen në sistemin kombëtar të sigurimeve shëndetësore, duke shënuar një hap të rëndësishëm në luftën kundër obezitetit, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas saj, shteti do të rimbursojë zyrtarisht 65% të kostos së këtyre barnave, por shumica e pacientëve pritet të përfitojnë mbulim të plotë për shkak të sëmundjeve shoqëruese si diabeti apo tensioni i lartë. Kjo do të thotë se për një pjesë të madhe të qytetarëve trajtimi do të jetë falas.
Wegovy, i prodhuar nga kompania daneze Novo Nordisk, dhe Mounjaro i kompanisë Eli Lilly, i përkasin një gjenerate të re barnash që ndihmojnë në uljen e peshës duke imituar hormonin GLP-1, i cili redukton oreksin dhe ndihmon kontrollin e ushqimit.
Deri në fund të janarit, mbi 70 mijë pacientë në Francë po trajtoheshin me Mounjaro. Megjithatë, çmimet e larta kanë qenë një pengesë e madhe, pasi pacientët paguanin rreth 300 euro në muaj për injeksionet.
Obeziteti mbetet një problem serioz në Francë dhe në gjithë Evropën. Sipas statistikave të fundit, rreth 18% e popullsisë franceze konsiderohet obeze, ndërsa në Bashkimin Evropian mbi gjysma e të rriturve janë mbipeshë. /Gazeta Shneta/




