Spitali i Ferizajt ka anuluar tenderin për furnizim me bombola nga kompania “Bubeari Komerc”.
Ky vendim i SP Ferizaj ka ardhur pas raportimit në media se kompania “Bubeari” ishte si e dyshuara kryesore për vdekjen e dyshimtë të pacientëve në vitin 2017 në QKUK. Kjo kompani atë kohë e furnizonte QKUK-në me oksidul, të cilin e prodhonte në Kosovë pa licencë, shkruan Gazeta Shneta.
“Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt njofton se ka anuluar tenderin për furnizim me boca të oksigjenit, të parapara si boca rezervë në rast të përkeqësimit të situatës. Këto boca nuk janë liferuar pas konsultimit me SHSKUK-në, e cila do të kryejë shumë shpejt procedurat e prokurimit për furnizim me boca për të gjitha spitalet”.
“Gjithashtu, ju njoftojmë se ky tender ka qenë për boca dhe jo furnizim me oksigjen, siç është raportuar në disa media. Spitali i Ferizajt furnizohet me oksigjen nga kompania Medical Group dhe operatori i dyte Medica, me të cilat ka kontratë SHSKUK”, thuhet në njoftim. /Gazeta Shneta/