Reparti i Oftalmologjisë në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” ka realizuar 602 operacione të syrit gjatë vitit 2025, duke trajtuar patologji të ndryshme oftalmologjike, sëmundje kronike të syrit si dhe raste urgjente të shkaktuara nga lëndimet traumatike.
Sipas njoftimit, ky repart ofron kujdes mjekësor 24-orësh për pacientët që kanë nevojë për trajtim dhe mbrojtje të shëndetit të syve. Shërbimet realizohen nga një ekip i përbërë nga pesë mjekë specialistë, gjashtë infermierë dhe katër instrumentare.
Përveç ndërhyrjeve kirurgjikale, gjatë vitit të kaluar janë kryer gjithsej 14 mijë e 514 vizita mjekësore ambulantore për pacientë me ankesa dhe probleme të ndryshme të shikimit.
Nga spitali bëhet e ditur se shërbimet oftalmologjike vazhdojnë të ofrohen rregullisht për të gjithë pacientët që kërkojnë trajtim specialistik.




