Me rritjen e temperaturave, shtohet edhe rreziku i infeksioneve që përhapen përmes ushqimit dhe ujit, kanë paralajmëruar nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri”.
Në një prononcim informues, infektologia në këtë institucion, Dr. Luljeta Buçinca-Zhubi ka theksuar se gjatë ditëve të nxehta rritet edhe numri i pacientëve që paraqiten me simptoma si të vjella dhe diarre, të cilat shpesh lidhen me konsumimin e ushqimeve të kontaminuara.
Sipas saj, temperaturat e larta krijojnë kushte ideale për zhvillimin e baktereve, duke bërë që ushqimet e ruajtura në mënyrë të papërshtatshme të shndërrohen në burim infeksioni.
Edhe pse këto infeksione mund të prekin çdo moshë, më të rrezikuarit mbeten fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike, për shkak të rrezikut më të lartë për komplikime.
Ajo veçonë disa produkte që paraqesin rrezik më të madh gjatë verës, si:
vezët e papërpunuara dhe produktet me to
mishi i pa gatuar mirë
akulloret dhe ushqimet e konservuara
sallatat dhe ushqimet “fast-food”qumështi dhe nënproduktet e tij
uji nga burime të pasigurta
Simptomat e helmimit mund të shfaqen brenda disa orëve ose ditëve dhe përfshijnë të vjella, barkqitje, temperaturë dhe lodhje.
Sipas mjekes, ndihma mjekësore duhet kërkuar në rast se simptomat zgjasin, nëse paraqitet dehidrim apo përkeqësim i gjendjes së përgjithshme.
Dr. Buçinca-Zhubi thekson se higjiena gjatë përgatitjes së ushqimit dhe ruajtja e tij në temperatura të përshtatshme janë kyçe për parandalimin e infeksioneve.
Ajo gjithashtu nënvizon rëndësinë e konsumimit të ujit të sigurt, duke paralajmëruar se dehidrimi është një nga rreziqet kryesore që lidhen me helmimet.
Gjatë verës dhe udhëtimeve, qytetarëve u rekomandohet të shmangin ushqimet e ekspozuara në diell dhe të kontrollojnë gjithmonë freskinë dhe afatin e produkteve.
Po ashtu, Dr. Buçinca-Zhubi këshillonë që në rast të dyshimeve për helmim nga një burim i përbashkët, të njoftohen menjëherë autoritetet shëndetësore.
Sipas saj, kujdesi ndaj ushqimit dhe ujit mbetet një nga mënyrat më të rëndësishme për të parandaluar problemet shëndetësore gjatë sezonit veror./Gazeta Shneta/




