Bordi Drejtues i SHSKUK-së e ka miratuar sot uljen e numrit të shtretërve për rreth 50 sosh në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës.
Ky vendim u mor me kërkesën e drejtorit të Spitalit të Pejës Fahri Hasani, me arsyetimin e mos shfrytëzimit të tyre, shkruan Gazeta Shneta.
Hasani në mbledhjen e Bordit ka deklaruar se në disa dhoma janë vendosur nga një pacientë dhe për këtë arsye po kërkojnë që të ulet numri i shtretërve.
“Nganjëherë janë vendosur një pacientë në një dhomë. Kjo nuk ka nevojë. Disa dhoma mund t’i përdorim për higjienë e disa të tjera do t’i mbyllim dhe i hapim vetëm në rast nevoje”, ka deklaruar Hasani.
Ai ka bërë të ditur se rreth 40 shtretër janë shkurtuar nga numri total i shtretërve të spitalit. Aktualisht ky spital ka rreth 350 sosh.
Për këtë çështje Hasani është pyetur nga anëtarja e Bordit Vjollca Kadolli, nëse kanë bërë ndonjë analizë për të ardhmen nëse do të kenë nevoj sërish për këta shtretër.
“A keni bërë ndonjë analizë, a do të keni shtim të shërbimeve. Nëse po, atëherë a do t’ju nevojiten këta shtretër sërish. A do të ketë shërbime të reja”, ka pyetur Kadolli.
Hasani ndonëse nuk ka prezantuar ndonjë analizë, ai ka thënë se, besojnë që nuk do të kenë nevojë më për këta shtretër.
Pas kësaj kërkesa është miratuar me vota unanime nga anëtarët e Bordit. /Gazeta Shneta/




