Spitali i Përgjithshëm i Prizrenit po përjeton një transformim të madh falë investimeve të konsiderueshme në pajisje moderne, shërbime të avancuara dhe infrastrukturë bashkëkohore, ka bërë të ditur Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia.
Ai theksoi se investimet kanë përfshirë fusha të ndryshme mjekësore, duke përmendur kardiologjinë invazive me angiografin e ri, rezonancën magnetike (MRI), pulmonologjinë dhe shërbimin për Sleep Apnea, pediatrinë, internon dhe kujdesin intensiv, si dhe emergjencën, radiologjinë dhe bllokun kirurgjik.
Po ashtu, janë përmirësuar shërbimet e hemodializës, transfuzionit, patologjisë dhe pajisjet diagnostike e terapeutike, ndërsa janë realizuar edhe investime në ndriçimin dhe infrastrukturën e jashtme të spitalit.
“Falënderoj mërgatën tonë, miqtë dhe profesionistët shëndetësorë për kontributin e tyre. Spitali i Prizrenit tani ofron shërbime më të sigurta dhe më të avancuara për qytetarët,” tha Vitia.
Vlera totale e investimeve tejkalon 11 milionë euro, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së kujdesit shëndetësor në këtë rajon.




