Në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit nuk e kanë pranuar se gjendja e infrastrukturës është e rëndë dhe e vjetëruar.
Gjatë ditës së djeshme deputeti i LDK-së, neurokirurgu Dr. Haxhi Avdyli, ka publikuar disa fotografi ku shihet gjendja e rëndë në Spitalin e Prizrenit. Për këtë gjendje Avdyli ka kritikuar ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, me të cilin ironizoi nëse është ende ministër apo kryetar i Prishtinës, shkruan Gazeta Shneta.
“Fotografi të dërguara në mesengjerin tim nga familjarët e një pacienti të shtrirë në Spitalin e Prizrenit. Më lutën tia përcjelli Uran Ismailit keto pamje makabre ku dyertë janë pa reze, shtretërit të gjakosur moti e karrika të thyera. Për barna thanë normal krejt po i blejmë. Edhe më pyetën kah ka humbur Urani , a është akoma Ministër apo është zgjedhë kryetar i Prishtinës, me zgjedhjet demokratike të Burundit”, shkroi Avdyli në postimin e tij.
Por këtij postimi i janë kundërpërgjigjur menaxhmenti i SP Prizrenit. Ata thonë se në këtë institucion janë duke u realizuar projekte të shumta të cilat janë përkrahur nga SHSKUK, MSH dhe qeveria e Luksemburgut.
“Dhe ‘dikush’ në vend që t’i bashkohet përkrahjes qytetare, poston një foto të një ‘karrike’ të inventarit të tjetërsuar. A mundet një foto e tillë të zbeh punën dhe sukseset e spitalit, mbetet të gjykohet nga vet qytetarët me prezantimin e gjendjen faktike në Spitalin e Përgjithshëm”, thuhet në reagimin e menaxhmentit.
Ky Spital edhe më parë është kritikuar për gjendjen e rëndë. Një qytetare e huaj pati bërë buj pasi shkoi të pastronte mbeturinat e mbledhura në radiatorët e ngrohjes nëpër dhomat e pacientëve. /Gazeta Shneta/