Spitali Publik “Sheik Zayed” në Vushtrri nuk ka teste Rapide tash e mbi dy muaj, përmes së cilave identifikohet nëse pacienti është i prekur nga coronavirusi apo jo.
Si pasojë e mungesës së testeve Rapide pacientët janë të detyruar t’i blejnë vet ato.
Përderisa në nivel vendi janë mbi 1 mijë raste aktive me coronavirus e në anën tjetër raste pozitive janë duke u regjistruar çdo ditë, spitali në Vushtrri nuk ka teste Rapide.
Shefi i personelit në spitalin rajonal, Abdullah Klinaku, e ka konfirmuar një gjë të tillë.
Ai sqaron se në fund të muajit maj 2021 janë furnizuar me 2 mijë teste Rapide dhe se menaxhimi i tyre është bërë në mënyrë më racionale të mundshme duke i aplikuar testimet te të gjitha të hospitalizuarit në të gjitha repartet për COVID-19 dhe në Emergjencë.
“Tani më ka mbi dy muaj që kemi mungesë por që situata është me e qetë. Si Spital kemi bërë kërkesë dhe jemi në pritje të furnizimit”, bënë të ditur ai për Gazetën Shneta.
Me mungesë të testeve Rapide është duke u ballafaqur edhe Klinika e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Gazeta në vazhdimsi raporton për mungesën e furnizimeve në spitale dhe klinika. /Gazeta Shneta/



