Personat që përjetojnë stres para një ndërhyrjeje kirurgjikale kanë më shumë dhimbje pas operacionit dhe u duhet më shumë kohë për t’u rikuperuar, tregon një studim i ri.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore Anesthesiology, edhe nivele të moderuara stresi mund të ndikojnë negativisht në ecurinë pas operacionit.
Më shumë se 40 për qind e të moshuarve që përgatiteshin për operacione të mëdha kishin stres të moderuar ose të lartë, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit kanë vërejtur se jo vetëm intensiteti i stresit, por sidomos numri i shqetësimeve që një person ka para operacionit, lidhet me rezultate më të dobëta shëndetësore.
Pacientët me më shumë shqetësime qëndruan më gjatë në spital, ndjenë më shumë dhimbje pas operacionit dhe kishin rrezik më të lartë për delirium – një gjendje e përkohshme konfuzioni që është veçanërisht e rrezikshme për të moshuarit.
Çdo shqetësim shtesë rritte rrezikun për delirium me rreth 19 për qind, thuhet në studim.
Ndër shqetësimet më të shpeshta të pacientëve ishin problemet me gjumin dhe oreksin, çështjet familjare, financiare, frika nga humbja e pavarësisë dhe pasiguria për të ardhmen.
Studiuesit rekomandojnë që ekipet mjekësore të vlerësojnë nivelin e stresit te pacientët para operacionit dhe, kur është e mundur, të ofrojnë mbështetje për ta ulur atë, pasi kjo mund të përmirësojë ndjeshëm rikuperimin pas ndërhyrjes.


