Strijat (të njohura edhe si “striae”) janë vija që shfaqen në lëkurë, më shpesh në bark, por mund të shfaqen edhe në kofshë, gjoks, ijë dhe pjesën e sipërme të krahëve. Rreth 9 nga 10 gra zhvillojnë strija gjatë shtatzënisë, duke i bërë ato një dukuri shumë të zakonshme.
Ato shfaqen si vija me ngjyrë të kuqe, rozë ose vjollcë dhe ndonjëherë mund të shoqërohen me kruarje në fazat e para. Me kalimin e kohës, strijat nuk zhduken plotësisht, por zbehen gradualisht dhe bëhen më pak të dukshme, duke marrë ngjyrë të bardhë ose argjendtë.
Shkaku kryesor i strijave është shtrirja e shpejtë e lëkurës gjatë rritjes së barkut në shtatzëni, veçanërisht në tremujorin e tretë. Kjo shtrirje ndikon në shtresat e thella të lëkurës dhe shoqërohet me ndryshime në enët e gjakut dhe inflamacion të lehtë, gjë që shkakton ndryshimin e ngjyrës. Shtimi i shpejtë në peshë dhe ndryshimet hormonale gjithashtu rrisin mundësinë e shfaqjes së tyre.
Strijat nuk janë të dëmshme dhe zakonisht nuk kërkojnë trajtim mjekësor. Ato mund të identifikohen lehtësisht nga mjeku ose mamia vetëm me një ekzaminim të lëkurës.
Nëse ato ju shqetësojnë estetikisht, ekzistojnë disa trajtime.
Trajtimet më të përdorura përfshijnë terapinë me lazer, kremrat me vitaminë A dhe teknika të tjera dermatologjike. Megjithatë, kremrat me vitaminë A (si tretinoina) nuk duhet të përdoren gjatë shtatzënisë apo gjidhënies, pasi mund të jenë të dëmshëm për foshnjën.
Kur strijat bëhen të bardha, ato janë më të vështira për t’u trajtuar, por mund të përdoren metoda si lazeri ose ‘mikro-needle’. Megjithatë, asnjë trajtim nuk garanton zhdukjen e plotë të tyre.
Në shtëpi, kujdesi me kremra ose vajra mund të ndihmojë në zbutjen e lëkurës, por nuk parandalon shfaqjen e strijave. Shumica e produkteve kozmetike janë të sigurta në shtatzëni, por është e rëndësishme të kontrollohen përbërësit dhe të konsultohet farmacisti ose mjeku.
Në raste të rralla, strijat mund të shoqërohen me kruarje të fortë ose irritim të lëkurës, por zakonisht ato nuk sjellin komplikime serioze dhe janë pjesë normale e shtatzënisë.
Ky tekst është marrë nga burimi Pregnancy Birth Baby dhe është përkthyer dhe redaktuar nga Gazeta Shneta.


