Barnat e përdorura për humbje peshe mund të kenë një përfitim të ri për pacientët me migrenë kronike. Një studim i ri tregon se personat që përdorin barna të klasës GLP-1, si Ozempic dhe Zepbound, mund të kenë më pak nevojë për kujdes urgjent për shkak të sulmeve të migrenës.
Të dhënat, që pritet të prezantohen në takimin e American Academy of Neurology, tregojnë se pacientët me migrenë kronike që merrnin barna GLP-1 kishin rreth 10% më pak gjasa të vizitonin urgjencën krahasuar me ata që përdornin terapinë standarde parandaluese.
Po ashtu, këta pacientë rezultuan:
14% më pak të rrezikuar për shtrim në spital
13% më pak të prirë për bllokadë nervore ose përdorim triptanësh
më pak të prirë për të nisur barna të reja kundër migrenës
Studiuesja Vitoria Acar, rezidente e mjekësisë interne në Universitetin e São Paulos, tha se pacientët me migrenë kronike shpesh përfundojnë në urgjencë ose provojnë disa terapi para se të gjejnë trajtimin e duhur.
Sipas saj, përdorimi më i ulët i shërbimeve emergjente dhe i barnave shtesë te pacientët që marrin GLP-1 sugjeron se këto terapi mund të ndihmojnë në stabilizimin e barrës së sëmundjes.
Në studim u analizuan rreth 11 mijë pacientë që merrnin një ilaç GLP-1 dhe u krahasuan me afro 11 mijë të tjerë që përdornin Topiramate, një trajtim i zakonshëm për parandalimin e migrenës. Pacientët u ndoqën për një vit përmes të dhënave mjekësore.
Ekspertët theksojnë se migrena kronike shpesh lidhet me gjendje metabolike dhe inflamatore si obeziteti, rezistenca ndaj insulinës, apnea e gjumit dhe depresioni, çka mund ta bëjë trajtimin më të vështirë.
Hulumtimet e hershme sugjerojnë se efektet anti-inflamatore dhe neurovaskulare të barnave GLP-1 mund të luajnë rol në këtë përmirësim, jo vetëm humbja e peshës./Gazeta Shneta/


