Pacientët me psoriazë mund të përfitojnë jo vetëm nga kontrolli i peshës dhe i diabetit, por edhe nga përmirësime të tjera shëndetësore nëse trajtohen me barna të tipit GLP-1, si Ozempic dhe Zepbound.
Një studim i prezantuar në takimin e Akademisë Evropiane të Dermatologjisë dhe Venerologjisë në Paris ka treguar se pacientët me psoriazë që përdorin këto barna kanë 78% më pak rrezik për vdekje të parakohshme dhe 44% më pak rrezik për probleme kardiovaskulare, si sulm në zemër apo goditje në tru.
Gjithashtu, tek këta pacientë është vërejtur një ulje e dukshme e rrezikut për abuzim me alkoolin dhe substancat narkotike, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Barnat GLP-1 mund të kenë ndikim më të gjerë tek pacientët me psoriazë, pasi përveç kontrollit të metabolizmit duket se veprojnë edhe mbi faktorët inflamatorë dhe psikologjikë”, tha profesori Ralf Ludwig nga Instituti i Dermatologjisë Eksperimentale në Lubeck, Gjermani.
Psoriaza është një sëmundje kronike autoimune që prek deri në 3% të popullsisë dhe shpesh shoqërohet me probleme të tjera shëndetësore, si sëmundje të zemrës dhe çrregullime të humorit.
Sipas hulumtuesve, gjetjet e reja sugjerojnë se këto barna mund të shërbejnë si një trajtim i dyfishtë për pacientët me psoriazë që gjithashtu kanë nevojë për menaxhim të peshës ose diabetit./Gazeta Shneta/


