Jo të gjithë antidepresivët ndikojnë njësoj në trup – disa prej tyre mund të shkaktojnë ndryshime të dukshme në peshë, rrahje zemre dhe tension të gjakut, ndërsa të tjerët kanë efekte më të lehta, thuhet në një studim të ri të publikuar në revistën The Lancet.
Sipas studiuesve nga King’s College London, disa ilaçe kundër depresionit, si maprotiline dhe amitriptyline, lidhen me shtim të ndjeshëm në peshë, ndërsa të tjerat, si fluvoxamine dhe sertraline, janë më të sigurta për trupin. “Jo të gjithë antidepresivët janë ndërtuar njësoj kur bëhet fjalë për efektet e tyre fizike,” shpjegoi Dr. Toby Pillinger, autor i studimit.
Analiza përfshiu të dhëna nga 151 studime dhe 17 raporte të FDA-së, me mbi 59 mijë pacientë, që kishin marrë antidepresivë ose placebo për rreth tetë javë.
Rezultatet zbuluan ndryshime të mëdha mes ilaçeve: në disa raste, pacientët kishin ndryshim deri në 4 kilogramë në peshë ose më shumë se 20 rrahje zemre në minutë midis llojeve të ndryshme të barnave.
Ekspertët theksojnë se këto efekte anësore shpesh bëhen arsye që pacientët të ndërpresin trajtimin, gjë që mund të përkeqësojë gjendjen e tyre mendore.
Për këtë arsye, studiuesit sugjerojnë që zgjedhja e ilaçeve të bëhet në mënyrë më të personalizuar, në varësi të gjendjes shëndetësore të secilit pacient.
Sipas Dr. Andrea Cipriani nga Universiteti i Oksfordit, toleranca më e mirë ndaj barnave – pra më pak efekte anësore – ndihmon që pacientët t’i marrin ato për më gjatë dhe të përfitojnë më shumë nga trajtimi.
Ekspertët e pavarur kërkojnë që pacientët që përdorin antidepresivë të kryejnë rregullisht kontrolle fizike, veçanërisht ata që vuajnë nga sëmundje të zemrës, diabeti apo probleme metabolike./Gazeta Shneta/


