Aktiviteti fizik, si ecja, është thelbësor për shëndetin. Një studim i ri, i publikuar në “American Journal of Preventive Medicine”, tregon se ecja e përditshme, sidomos në ritëm të shpejtë, mund të ulë ndjeshëm rrezikun e vdekshmërisë, veçanërisht te personat me të ardhura të ulëta dhe ata me ngjyrë.
Sipas Medical News Today, studimi u bazua në të dhënat e 79,856 pjesëmarrësve nga 12 shtete juglindore të SHBA-ve, pjesë e Southern Community Cohort Study. Dy të tretat e pjesëmarrësve ishin me ngjyrë dhe mbi gjysma kishin të ardhura nën 15,000 dollarë në vit.
Studiuesit analizuan zakonet ditore të ecjes, përfshirë shpejtësinë dhe kohëzgjatjen, si dhe faktorë të tjerë si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe aktiviteti fizik gjatë kohës së lirë.
Pas një ndjekjeje mesatare prej afro 17 vjetësh, u regjistruan rreth 27,000 vdekje, ku shumica ishin nga sëmundje kardiovaskulare.
Ecja e shpejtë u shoqërua me një ulje gati 20% të rrezikut të vdekshmërisë. Edhe ata që ecnin ngadalë për më shumë se një orë në ditë patën përfitime të dukshme për zemrën, sidomos në uljen e rrezikut për sëmundjen ishemike të zemrës, transmeton Gazeta Shneta.
Studimi thekson rëndësinë e ritmit të ecjes dhe inkurajon përfshirjen e aktivitetit fizik në jetën e përditshme për të përmirësuar jetëgjatësinë dhe shëndetin kardiovaskular. /Gazeta Shneta/


