Një studim i ri nga Universiteti Harvard ka zbuluar se gratë që ekspozohen ndaj niveleve të larta të kimikateve PFAS – të njohura si “kimikatet e përjetshme” – kanë më shumë gjasa të përjetojnë çrregullime hormonale. Rezultatet u publikuan të premten në revistën mjekësore JAMA Network Open.
Hulumtimi analizoi mostrat e gjakut të grave për shtatë lloje të komponimeve PFAS dhe tregoi se disa prej tyre lidhen drejtpërdrejt me ndërprerje të funksioneve endokrine, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Gratë që kishin shenja të prishjes hormonale rezultuan me nivele dukshëm më të larta të këtyre kimikateve krahasuar me ato pa shenja të tilla.
PFAS janë substanca sintetike që përdoren gjerësisht për rezistencën e tyre ndaj nxehtësisë, ujit dhe yndyrës, duke qenë të pranishme në tiganët me sipërfaqe jo-ngjitëse, paketimet e ushqimeve, veshjet dhe madje edhe produktet menstruale.
Ato quhen “kimikate të përjetshme” sepse degradohen shumë ngadalë në mjedis dhe mund të grumbullohen në trup.
Ekspozimi i gjatë ndaj PFAS është lidhur me rreziqe serioze shëndetësore, përfshirë kancerin. Ato mund të hyjnë në organizëm përmes ujit të pijshëm, ushqimit, ajrit dhe produkteve të përditshme.
Studime të fundit sugjerojnë se disa prej tyre mund të absorbohen edhe përmes lëkurës.
Çrregullimet endokrine mund të shkaktojnë probleme me fertilitetin, anomali të organeve seksuale, çrregullime të ciklit menstrual dhe pubertet të hershëm.
Megjithëse studimi ka kufizime – pasi u mbështet vetëm në një mostër gjaku – ekspertët thonë se rezultatet janë shqetësuese, sidomos duke pasur parasysh se ndotja nga PFAS është e përhapur në mbarë Evropën. Projekti investigativ “Forever Pollution Project” më herët identifikoi afro 23 mijë zona të kontaminuara dhe mbi 21 mijë zona të tjera potencialisht të ndotura.
Në vitin 2023, Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi PFOA-n si kancerogjene dhe PFOS-in si “ndoshta kancerogjene”. Edhe pse të ndaluara në BE, shumë produkte ende përmbajnë PFAS. Një testim i organizatës evropiane të konsumatorëve BEUC këtë vit gjeti nivele shqetësuese të këtyre kimikateve në 62 nga 221 produkte të zakonshme, përfshirë fasha ngjitëse, shiritat sportivë dhe madje edhe kokoshkat për mikrovalë.


