Një studim i ri i realizuar nga studiues të Universitetit të Oksfordit dhe Universitetit “College London” ka ngritur shqetësime për rritjen e obezitetit tek fëmijët në Britani të Madhe, duke e lidhur atë me rritjen e gjatësisë mesatare tek fëmijët.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Journal of Epidemiology & Community Health”, tregon se fëmijët në Angli, Skoci dhe Uells janë bërë më të gjatë gjatë dy dekadave të fundit, me një rritje më të theksuar gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas të dhënave, gjatësia mesatare e djemve 11-vjeçarë në Angli është rritur nga 145 centimetra në vitin shkollor 2009/10 në 146.4 centimetra në vitin 2023/24. Tendencë e ngjashme është regjistruar edhe tek vajzat.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kjo nuk lidhet me përmirësimin e shëndetit të fëmijëve, por me rritjen e obezitetit, sidomos në zonat më të varfra.
Sipas hulumtimit, mbyllja e shkollave dhe kufizimet gjatë pandemisë kanë ndikuar në uljen e aktivitetit fizik dhe përkeqësimin e mënyrës së ushqyerjes tek fëmijët.
Në zonat më të varfra të Anglisë, gjatësia mesatare e djemve 11-vjeçarë është rritur për 1.7 centimetra mes viteve 2009 dhe 2024, ndërsa përqindja e fëmijëve me mbipeshë ose obezitet është rritur nga 37.7 për qind në 43.3 për qind.
Të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë tregojnë se obeziteti tek fëmijët dhe adoleshentët është në rritje në të gjithë Evropën. Në rajonin evropian të OBSH-së, përqindja e obezitetit tek grupmosha 5–19 vjeç është rritur nga 3.8 për qind në vitin 1990 në 8 për qind në vitin 2022.
Britania e Madhe ka regjistruar një rritje edhe më të madhe – nga 4.5 për qind në 11.3 për qind, duke pasur normën më të lartë të obezitetit tek fëmijët ndër pesë ekonomitë më të mëdha të Evropës.
Sipas raportit, Hungaria ka pasur nivelin më të lartë të obezitetit infantil në Evropë në vitin 2022 me 14.8 për qind, e ndjekur nga Qipro me 14.1 për qind dhe Finlanda me 12.7 për qind.


