Një studim i ri ka treguar se fëmijët që pësojnë ndalim të zemrës kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme, pasi duhet t’u fillohet reanimimi (CPR) brenda pesë minutave të para, në mënyrë që të kenë shanse për mbijetesë.
Këto rezultate u prezantuan në takimin vjetor të Shoqatës Amerikane të Zemrës (AHA) në Nju Orlins, ku u theksua se koha e reagimit është dyfish më e shkurtër se tek të rriturit, për të cilët ndihma mund të jetë efektive deri në 10 minuta pas ndalimit të zemrës.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Mohammad Abdel Jawad nga Universiteti i Missouri-Kansas City, “kur zemra e një fëmije ndalon papritur, çdo sekondë ka rëndësi jetike. Fillimi i CPR-së brenda pesë minutave mund t’i dyfishojë shanset e mbijetesës”.
Studimi përfshiu më shumë se 10,000 raste të fëmijëve në SHBA që kishin pësuar ndalim të zemrës jashtë spitalit. Rezultatet treguan se:
Kur CPR filloi brenda një minute, mbijetesa ishte 91%.
Brenda dy deri në tre minuta, mbijetesa u rrit në 98%.
Por nëse CPR filloi pas pesë minutash, shanset ranë në 24% deri në 41%.
Në SHBA, çdo vit ndodhin mbi 7,000 raste të arrestimeve kardiake jashtë spitaleve dhe rreth 20,000 brenda spitaleve tek foshnjat dhe fëmijët.
Mjekët theksojnë se prindërit, mësuesit, kujdestarët dhe trajnerët duhet të mësojnë si të bëjnë CPR, pasi shpesh janë ata të parët që ndodhen pranë fëmijës kur ndodh ndalimi i zemrës.
Dr. Jawad tha se shumë njerëz hezitojnë të ndërhyjnë, nga frika se mund ta lëndojnë fëmijën, por theksoi se çdo sekondë vonesë mund të jetë fatale.
Ekspertët kërkojnë që trajnimi për CPR të bëhet pjesë e shkollave dhe kontrolleve mjekësore, për të rritur numrin e personave që mund të shpëtojnë jetë në raste emergjente./Gazeta Shneta/


