Një mjet i ri i inteligjencës artificiale që analizon fytyrën e njeriut mund të ndihmojë mjekët të parashikojnë mbijetesën te pacientët me kancer, sugjeron një studim i fundit.
Hulumtimi është zhvilluar nga studiues në Mass General Brigham në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë krijuar një sistem të quajtur “FaceAge”, që vlerëson moshën biologjike të një personi përmes një fotografie të vetme.
Ndryshe nga mosha kronologjike, mosha biologjike tregon gjendjen reale fiziologjike të trupit dhe procesin e plakjes.
Sipas studiuesve, pacientët me kancer shpesh duken mesatarisht rreth pesë vjet më të moshuar sesa mosha e tyre reale, dhe kjo lidhet me rezultate më të dobëta pas trajtimit.
Në studimin e ri, shkencëtarët analizuan fotografitë e 2,276 pacientëve me lloje të ndryshme kanceri, të cilët kishin marrë terapi me rrezatim ndërmjet viteve 2012 dhe 2023.
Përmes një treguesi të quajtur “Face Aging Rate” (FAR), studiuesit matën sa shpejt plaket fytyra me kalimin e kohës. Rezultatet treguan se tek shumë pacientë, plakja e fytyrës ndodh rreth 40% më shpejt sesa mosha reale.
Sipas autorit të studimit, Raymond Mak, rritja e këtij treguesi lidhet me një probabilitet më të ulët mbijetese, veçanërisht kur fotografitë krahasohen në intervale më të gjata kohore.
Po ashtu, një tjetër tregues – “FaceAge Deviation” – vlerëson nëse një person duket më i ri apo më i moshuar se mosha e tij, por rezulton më pak i saktë krahasuar me matjet dinamike në kohë.
Studiuesit vlerësojnë se përdorimi i këtij mjeti mund të ndihmojë në planifikimin më të mirë të trajtimeve, këshillimin e pacientëve dhe përcaktimin e kontrollit pas trajtimit në mënyrë më të personalizuar.
Sipas Hugo Aerts, ndjekja e ndryshimeve në fytyrë përmes fotografive të thjeshta mund të shërbejë si një metodë jo-invazive dhe me kosto të ulët për monitorimin e gjendjes shëndetësore.
Ekspertët theksojnë se kjo qasje mund të përdoret në të ardhmen edhe për sëmundje të tjera kronike, përveç kancerit./Gazeta Shneta/


