Një studim i ri nga Universiteti i Kalifornisë, Davis ka ngritur shqetësime mbi përdorimin e substancës psilocybin, e njohur si “kërpudha magjike”, gjatë periudhës pas lindjes.
Sipas kërkuesve, kjo substancë, e cila po studiohet si trajtim për depresionin dhe ankthin, mund të ketë efekte të rënda negative tek nënat pas lindjes dhe foshnjat e tyre.
Në hulumtimin e publikuar në revistën shkencore Nature Communications, studiuesit i administruan psilocybin minjve femra pas lindjes dhe vunë re rritje të simptomave të ankthit dhe depresionit, si dhe vështirësi në lidhjen me të vegjlit.
Efektet negative u vërejtën edhe te brezi pasardhës, pasi minjtë e rritur nga nëna të ekspozuara ndaj psilocybin shfaqën shenja të ankthit dhe depresionit që zgjatën për muaj të tërë.
“Ne e dimë që psilocybin mund të ndihmojë në disa raste të depresionit, por tek nënat pas lindjes mund të ndodhë e kundërta – mund t’i përkeqësojë simptomat,” – tha David Olson, drejtor i Institutit për Psikedelikë dhe Neuroterapi në UC Davis.
Studiuesit theksojnë se hormonët e vezoreve mund të ndikojnë në mënyrën si truri reagon ndaj substancave psikedelike, duke e bërë këtë periudhë veçanërisht të ndjeshme.
Ekspertët paralajmërojnë se, ndonëse psilocybin po shihet si një trajtim premtues për shumë çrregullime mendore, nuk duhet të përdoret gjatë shtatzënisë apo pas lindjes pa mbikëqyrje mjekësore, pasi mund të ketë pasoja afatgjata në shëndetin mendor të nënës dhe fëmijës.


