Konsumimi i tepërt i alkoolit rrit ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e shumë llojeve të kancerit dhe përkeqëson shanset e mbijetesës tek personat e diagnostikuar, sipas një rishikimi të ri shkencor të publikuar në revistën Cancer Epidemiology.
Studiuesit analizuan të dhëna nga 62 studime të mëparshme, me një numër pjesëmarrësish që varionte nga dhjetëra deri në afro 100 milionë persona.
Rezultatet treguan se sa më i lartë të jetë konsumimi i alkoolit, aq më i madh është rreziku për kancer, veçanërisht për kancerin e gjirit, zorrës së trashë, mëlçisë, gojës, fytit dhe traktit gastrointestinal.
Sipas autores kryesore të studimit, Dr. Lea Sacca nga Universiteti Atlantik i Floridës, konsumimi i shpeshtë, i rëndë apo episodik (binge drinking) lidhet fort me rritjen e rrezikut për disa lloje kanceri, duke theksuar rëndësinë e moderimit.
Studimi vuri në dukje se personat që ndjekin udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Kancerit (ACS) – maksimumi dy pije në ditë për burrat dhe një për gratë – kanë rrezik më të ulët për t’u prekur ose për të vdekur nga kanceri.
Rreziku nga alkooli ishte edhe më i lartë te disa grupe, përfshirë personat me predispozitë gjenetike për kancer, ata me obezitet apo diabet, si dhe te afro-amerikanët. Gjithashtu, faktorë si lloji i alkoolit, mosha e fillimit të konsumimit, gjinia, pirja e duhanit dhe historia familjare ndikojnë në nivelin e rrezikut.
Ekspertët shpjegojnë se alkooli dëmton ADN-në përmes acetaldehidit, ndryshon nivelet hormonale, dobëson sistemin imunitar dhe rrit përthithjen e substancave kancerogjene në organizëm.


