Një studim i fundit ka ngrritur shqetësime serioze për sigurinë e kufjeve që përdoren çdo ditë nga miliona qytetarë në Evropë.
Sipas hulumtimit, mbi 50 marka të njohura ndërkombëtare, përfshirë Samsung, Apple, Sony dhe Sennheiser, përmbajnë gjurmë të kimikateve që mund të dëmtojnë sistemin hormonal.
Studimi, i realizuar nga organizata çeke Arnika në bashkëpunim me projektin ToxFree LIFE for All, analizoi 81 modele të ndryshme kufjesh. Rezultatet treguan se të gjitha modelet e testuara përmbanin të paktën disa nivele të substancave potencialisht të dëmshme si bisfenolët, ftalatet dhe retardantët e flakës.
Sipas ekspertëve, këto substanca njihen si ndërhyrëse hormonale, pasi mund të ndikojnë në sistemin endokrin dhe të dëmtojnë shëndetin riprodhues. Ftalatet, të përdorura për ta bërë plastikën më fleksibile, janë lidhur gjithashtu me probleme si obeziteti, rezistenca ndaj insulinës, astma dhe çrregullimet e vëmendjes.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se kufjet nuk paraqesin rrezik të menjëhershëm për shëndetin. Rreziku qëndron kryesisht te ekspozimi afatgjatë, pasi nuk ekziston një nivel plotësisht i sigurt i këtyre kimikateve.
“Ekspozimi kronik ndaj këtyre substancave mbetet shqetësim për shëndetin publik,” thuhet në raport.
Analiza përfshiu 180 mostra plastike nga pjesë të ndryshme të kufjeve. Modelet u vlerësuan sipas nivelit të rrezikut: me ngjyrë të gjelbër për rrezik të ulët, të verdhë për kufje që përmbushin standardet ligjore, por tejkalojnë kufijtë më të rreptë, dhe të kuqe për rrezik të lartë.
Rezultatet tregojnë se:
44% e modeleve u klasifikuan me “rrezik të lartë”
vetëm 11% kishin kimikate në pjesët që janë në kontakt direkt me lëkurën
Kjo sugjeron se prodhuesit i kushtojnë më shumë rëndësi pjesëve të buta dhe të ndjeshme ndaj prekjes, ndërsa pjesët e forta të strukturës shpesh përmbajnë nivele më të larta të substancave të rrezikshme.
Ndër rastet më shqetësuese, një model kufjesh për fëmijë i shitur online kishte nivele ftalatesh pothuajse pesë herë mbi limitin e lejuar në Bashkimin Evropian.
Nga ana tjetër, disa modele u vlerësuan si më të sigurta, përfshirë AirPods Pro 2 dhe Tune 720BT, të cilat rezultuan me nivele më të ulëta ekspozimi.
Pas publikimit të studimit, disa shitës evropianë kanë ndërmarrë masa duke ndaluar shitjen e disa modeleve të caktuara, ndërsa pritet reagimi i prodhuesve.
Ekspertët bëjnë thirrje për rritje të kontrollit dhe transparencës, si dhe për standarde më të rrepta sigurie, veçanërisht për produktet që përdoren për periudha të gjata dhe nga fëmijët.
Ky studim rikthen në vëmendje nevojën për ndërgjegjësim më të madh të konsumatorëve dhe për politika më të forta mbrojtëse në tregun evropian.


