Një praktikë e thjeshtë si larja e dhëmbëve mund të ketë ndikim të madh në shëndetin e pacientëve të hospitalizuar. Një studim i ri ka zbuluar se higjiena e rregullt orale mund të ulë deri në 60% rrezikun e zhvillimit të pneumonisë gjatë qëndrimit në spital.
Sipas të dhënave të prezantuara në ESCMID Global Congress 2026, përmirësimi i kujdesit oral tek pacientët e shtruar në spital ndikon drejtpërdrejt në uljen e infeksioneve të mushkërive, veçanërisht të pneumonisë që fitohet gjatë hospitalizimit.
Pneumonia e fituar në spital është një infeksion i mushkërive që zhvillohet të paktën 48 orë pas pranimit të pacientit dhe konsiderohet më e rrezikshme se format e tjera, pasi pacientët shpesh kanë sistem imunitar të dobësuar dhe ekspozohen ndaj baktereve më rezistente.
Studimi u fokusua në formën e njohur si pneumonia spitalore pa ventilim mekanik, e cila ndodh tek pacientët që nuk janë të lidhur me aparate respiratore.
Sipas autorit kryesor të studimit, Brett Mitchell, shumë nga këto infeksione lidhen me bakteret që ndodhen në gojë.
“Këto infeksione shpesh burojnë nga mikrobiota e vet pacientit. Përmirësimi i higjienës orale ndihmon në reduktimin e këtyre patogjenëve dhe ul rrezikun e infeksionit”, ka deklaruar ai.
Programi përfshiu mbi 8 mijë pacientë
Studimi përfshiu më shumë se 8,000 pacientë në spitalet australiane, ku u zbatua një program i veçantë për përmirësimin e higjienës orale. Pacientëve iu siguruan furça dhëmbësh, pastë, materiale edukative dhe mbështetje nga stafi mjekësor, i cili gjithashtu u trajnua për këtë qëllim.
Rezultatet treguan përmirësim të ndjeshëm: përqindja e pacientëve që merrnin kujdes oral u rrit nga 15.9% në 61.5%, ndërsa praktikat e higjienës u kryen mesatarisht 1.5 herë në ditë.
Një nga gjetjet më të rëndësishme ishte rënia e incidencës së pneumonisë – nga një rast në çdo 100 ditë qëndrimi në spital, në vetëm 0.41 raste.
“Kjo është një ndër arritjet më inkurajuese të studimit tonë”, theksoi Brett Mitchell.
Studiuesit theksojnë se qëndrimi i gjatë në spital shpesh përkeqëson shëndetin oral të pacientëve, duke rritur rrezikun për infeksione.
Ata bëjnë thirrje që programe të tilla të zbatohen më gjerësisht në spitale dhe të bëhen pjesë e praktikave standarde të kujdesit shëndetësor./Gazeta Shneta/


