Një studim i publikuar në JAMA Neurology ka zbuluar se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit mund të përshpejtojë dëmtimet në tru te pacientët me Alzheimer, duke përkeqësuar humbjen e kujtesës, gjykimin dhe aftësitë bazike të përditshme.
Sipas studiuesve të Universitetit të Pensilvanisë, pacientët e ekspozuar ndaj niveleve më të larta të grimcave të imëta (PM2.5), të prodhuara nga tymi i zjarreve, gazrat e makinave dhe ndotjet industriale, kishin grumbullim më të madh të proteinave toksike amiloid dhe tau – dy shenja kryesore të sëmundjes së Alzheimerit.
Analiza e mbi 600 autopsive tregoi se për çdo rritje me një mikrogram për metër kub të ndotjes, dëmtimi në tru rritej me 19%, shkruan HealthDay transmeton Gazeta Shneta.
“Kjo tregon se ndotja e ajrit jo vetëm që rrit rrezikun për demencë, por e përkeqëson sëmundjen e Alzheimerit,” tha autori kryesor i studimit, Dr. Edward Lee.
Ai theksoi se edhe një vit qëndrimi në një zonë me ndotje të lartë mund të ketë ndikim të madh në shëndetin e trurit.
Megjithatë, studiuesit sqarojnë se studimi ishte vëzhgues dhe nuk mund të provojë lidhje të drejtpërdrejtë shkak-pasojë.
Ata kërkojnë më shumë hulumtime për të kuptuar mekanizmat dhe për të forcuar politikat e reduktimit të ndotjes së ajrit në funksion të shëndetit publik./Gazeta Shneta/


