Një studim i ri i udhëhequr nga kërkuesit e NYU Langone Health, Universitetit të Utah dhe Stanford University tregon se rregullimi i lehtë i këndit të këmbës gjatë ecjes mund të ulë dhimbjet e shkaktuara nga artroza e gjurit dhe të ngadalësojë përkeqësimin e sëmundjes.
Në hulumtim morën pjesë 68 persona me artrozë të lehtë ose mesatare të gjurit.
Pjesëmarrësit që mësuan të ecnin me këmbët pak më brenda ose më jashtë nga pozicioni natyral patën më pak dëmtim të kërcit dhe reduktuan dhimbjen me rreth 2.5 pikë në një shkallë prej 10 pikësh efekt i ngjashëm me përdorimin e barnave kundër dhimbjes pa recetë.
Në krahasim, ata që vazhduan të ecnin natyrshëm patën përmirësim minimal dhe madje rritje të ngarkesës në gju. Analizat me MRI treguan se përshtatja individuale e këndit të këmbës mund të zvogëlojë ngarkesën në pjesën e brendshme të gjurit deri në 4%.
Sipas autorëve, ky trajtim jo-invaziv mund të ndihmojë në shtyrjen e nevojës për ndërhyrje kirurgjikale dhe të ofrojë një alternativë më të sigurt ndaj medikamenteve afatgjata, të cilat shpesh shoqërohen me efekte anësore serioze.
Teknologjitë e reja, përfshirë inteligjencën artificiale, po mundësojnë analizën e ecjes edhe përmes videove nga telefoni, gjë që mund ta bëjë këtë metodë më të lehtë për t’u aplikuar në klinika.
Studiuesit planifikojnë të testojnë më tej këtë qasje edhe te pacientët me obezitet.


