Një studim i ri sugjeron se përdorimi i një sistemi monitorimi përmes orës inteligjente mund t’i ndihmojë prindërit të ndërhyjnë më herët dhe më efektivisht gjatë shpërthimeve emocionale (tantrumeve) te fëmijët e vegjël.
Hulumtimi, i publikuar më 15 dhjetor në JAMA Network Open, tregon se alarmet e dërguara nga ora inteligjente u kanë mundësuar prindërve të reagojnë brenda pak sekondash para se të nisë një tantrum, duke e ulur kohëzgjatjen e tij për më shumë se gjysmën, shkruan HealthDay përcjell Gazeta Shneta.
Ora inteligjente, e mbajtur nga fëmija, monitoron shenja stresi si rritja e rrahjeve të zemrës, ndryshimet në lëvizje dhe gjumë.
Të dhënat dërgohen në kohë reale në një aplikacion në telefonin e prindit, i cili, përmes inteligjencës artificiale, analizon sinjalet dhe paralajmëron për një shpërthim të mundshëm emocional.
Studimi përfshiu 50 fëmijë të moshës 3 deri në 7 vjeç, të cilët po ndiqnin terapinë Prind–Fëmijë (PCIT) në Klinikën Mayo për probleme të sjelljes.
Gjysma e fëmijëve përdorën orën inteligjente, ndërsa grupi tjetër vazhdoi terapinë pa pajisje shtesë.
Rezultatet treguan se prindërit që merrnin njoftime nga ora inteligjente ndërhynin mesatarisht brenda katër sekondash.
Tek fëmijët që mbanin orën, tantrumet zgjatnin rreth 10 minuta, krahasuar me 22 minuta te fëmijët pa monitorim. Gjithashtu, gjasat që një tantrum të zgjaste 15 minuta ose më shumë ishin dukshëm më të ulëta në grupin e monitoruar.
Ekspertët theksojnë se shpërthimet emocionale janë pjesë normale e zhvillimit të fëmijëve, sidomos në moshë të vogël, ndërsa teknologjia mund të shërbejë si mjet ndihmës për prindërit, veçanërisht kur problemet e sjelljes vazhdojnë përtej moshave tipike.
Megjithatë, disa specialistë paralajmërojnë se përdorimi i tepërt i teknologjisë mund të çojë në ndërhyrje të shpeshta nga prindërit, duke kufizuar aftësinë e fëmijës për të mësuar vetë menaxhimin e frustrimit./Gazeta Shneta/


