Postimet ideale për mëmësinë në rrjetet sociale mund të kenë ndikim negativ në shëndetin mendor të nënave, sugjeron një studim i ri.
Hulumtimi, i publikuar në Computers in Human Behavior, tregon se përmbajtjet që paraqesin një realitet “perfekt” – shtëpi pa rrëmujë, foshnje gjithmonë të qeta dhe nëna pa stres – rrisin ndjenjat e turpit, ankthin dhe krahasimet tek nënat e reja.
Autorja e studimit, Ciera Kirkpatrick nga University of Nebraska-Lincoln, thekson se idealizimi i mëmësisë në rrjetet sociale mund të lidhet edhe me depresionin pas lindjes.
“Ekziston një lidhje e fortë mes ndjenjës së turpit dhe depresionit postpartum,” ka deklaruar ajo.
Studimi sugjeron një zgjidhje të thjeshtë: ekspozimi ndaj përmbajtjeve më reale dhe të papërpunuara.
Në kuadër të hulumtimit, studiuesit simuluan rrjete sociale me video të shkurtra. Një grup nënash u ekspozua vetëm ndaj përmbajtjeve ideale, ndërsa një grup tjetër pa një përzierje të momenteve reale dhe sfidave të përditshme të mëmësisë.
Rezultatet treguan se nënat që panë përmbajtje të përziera ndjenë më pak turp dhe përjetuan emocione më pozitive.
Ndërkohë, ato që u ekspozuan vetëm ndaj përmbajtjeve “perfekte” raportuan më shumë ndjenja negative dhe më pak kënaqësi emocionale.
Studime të mëparshme kanë treguar se përmbajtjet ideale në rrjetet sociale mund të rrisin ankthin dhe të ulin vetëbesimin tek nënat.
Madje, sipas të dhënave nga Centers for Disease Control and Prevention, problemet e shëndetit mendor janë shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me shtatzëninë në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit theksojnë se nënat nuk kanë nevojë të largohen nga rrjetet sociale, por duhet të synojnë një balancë më të shëndetshme në përmbajtjen që ndjekin.
Po ashtu, kërkohet që edhe platformat sociale të kontribuojnë duke promovuar përmbajtje më reale dhe të larmishme për përdoruesit./Gazeta Shneta/


