Një studim i ri nga Universiteti i Notre Dame ka zbuluar se shpërthimet e virusit Chikungunya — një sëmundje e transmetuar nga pickimi i mushkonjave — janë jashtëzakonisht të paparashikueshme, si në përmasa ashtu edhe në ashpërsi.
Studiuesit analizuan 86 shpërthime të virusit në mbarë botën, duke krijuar të dhënat më të mëdha krahasuese deri më sot, me qëllim përmirësimin e parashikimeve të ardhshme dhe ndihmën në zhvillimin e vaksinave.
“Shpërthimet e Chikungunyas janë të paparashikueshme si në madhësi, ashtu edhe në ashpërsi. Mund të kesh një shpërthim me vetëm disa raste, dhe një tjetër në të njëjtën zonë që prek dhjetëra mijëra njerëz,” shpjegoi profesori i epidemiologjisë infektive, Alex Perkins, bashkautor i studimit.
“Kjo e bën planifikimin shëndetësor publik dhe zhvillimin e vaksinës jashtëzakonisht të vështirë.”
Studimi, i botuar në revistën Science Advances, u udhëhoq nga Alexander Meyer, hulumtues postdoktoral në laboratorin e Perkins.
Ai dhe ekipi i tij rindërtuan dhe analizuan të dhënat e qindra shpërthimeve, për të identifikuar modele të përbashkëta që mund të ndihmojnë në parashikimin e ardhshëm të përhapjes së sëmundjes.
Virusi Chikungunya është i zakonshëm në rajonet tropikale dhe subtropikale, përfshirë Azinë, Afrikën dhe Amerikën e Jugut, por së fundmi janë raportuar raste edhe në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara.
Vetëm në shtator, u konfirmua një rast në Long Island, New York, ndërsa CDC ka lëshuar paralajmërime për udhëtarët drejt Bangladeshit, Kubës, Kinës, Kenias, Madagaskarit, Somalisë dhe Sri Lankës.
Simptomat e virusit shfaqen shpejt: ethe akute të shoqëruara me dhimbje të forta të kyçeve, që mund të zgjasin me muaj. Edhe pse rrallëherë është fatal, sëmundja mund të jetë veçanërisht e rëndë për të moshuarit dhe të porsalindurit.
Shpesh mendohet se ndryshimet klimatike ndikojnë në përhapjen e virusit, pasi kushtet e ngrohta dhe të lagështa rrisin aktivitetin e mushkonjave, por studiuesit theksojnë se klima nuk është faktori kryesor.
“Temperatura dhe reshjet mund të tregojnë ku janë të mundshme shpërthimet, por nuk ndihmojnë shumë në parashikimin e ashpërsisë së tyre,” shtoi Perkins.
“Kushtet lokale si cilësia e banesave, dendësia e mushkonjave dhe reagimi i komunitetit janë po aq të rëndësishme – dhe ndonjëherë, rolin e luan edhe rastësia.”
Aktualisht ekzistojnë vetëm dy vaksina të miratuara për Chikungunya, por ato nuk janë të disponueshme gjerësisht në zonat ku virusi është më i përhapur. Sipas studiuesve, të dhëna të tilla të gjera mund të ndihmojnë në planifikimin e testeve klinike për vaksinat dhe në mbrojtjen e popullatave më të rrezikuara.


