Një studim i ri nga University College London (UCL) tregon se ofrimi i ushqimit të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë fëmijët në shkolla deri në vitin 2030 mund të ulë ndjeshëm urinë, sëmundjet dhe ndotjen mjedisore.
Sipas hulumtimit, zgjerimi i programeve të ushqimit shkollor nga niveli aktual – që mbulon rreth një në pesë fëmijë në mbulim universal, do të ulë kequshqyerjen globale me rreth 24 për qind, do të parandalojë mbi një milion vdekje në vit nga sëmundjet e lidhura me dietën dhe do të përgjysmojë emetimet që vijnë nga ushqimi.
Studimi thekson se përfitimet mjedisore varen nga përbërja e vakteve: ushqimet me më shumë perime dhe më pak mish e produkte qumështi, si dhe reduktimi i mbetjeve ushqimore, sjellin ndikimin më të madh pozitiv.
Edhe pse zgjerimi i programeve kërkon investime shtesë – deri në 1 për qind të të ardhurave kombëtare në vendet me të ardhura të ulëta studiuesit vlerësojnë se kursimet në shëndetësi dhe dëmet klimatike e kompensojnë këtë kosto.
Autorët theksojnë se arritja e ushqimit universal në shkolla kërkon angazhim politik afatgjatë, veçanërisht në vendet më të varfra, duke e parë ushqimin shkollor si një mjet kyç për shëndetin e fëmijëve dhe mbrojtjen e mjedisit./Gazeta Shneta/


