Një studim i fundit sugjeron se gratë që lindin fëmijën e fundit pas moshës 33 vjeç kanë më shumë gjasa të arrijnë një jetëgjatësi të jashtëzakonshme, deri në 95 vjeç ose më shumë.
Studiues nga University of Utah dhe Boston University School of Medicine analizuan të dhënat e mijëra grave dhe zbuluan një lidhje të fortë mes moshës kur një grua lind fëmijën e fundit dhe mundësisë për të jetuar shumë gjatë, shkruan Time Magazine, transmeton Gazeta Shneta.
Sipas gjetjeve, gratë që kanë lindur pas moshës 33 vjeç kanë rreth dyfish më shumë shanse të jetojnë deri në 95 vjeç krahasuar me ato që e kanë pasur lindjen e fundit deri në moshën 29 vjeç.
Ekspertët theksojnë se kjo nuk do të thotë se lindja në moshë më të madhe shkakton jetë më të gjatë. Përkundrazi, aftësia për të mbetur shtatzënë më vonë mund të jetë një tregues i plakjes më të ngadaltë të organizmit dhe shëndetit të përgjithshëm të mirë.
Studime të tjera kanë gjetur gjithashtu se gratë që lindin më vonë kanë telomere më të gjata, një tregues qelizor që lidhet me ngadalësimin e procesit të plakjes.
Ky mekanizëm biologjik mbështet idenë se koha e riprodhimit mund të shërbejë si tregues i një jetëgjatësie më të madhe.
Studiuesit theksojnë rëndësinë e këtyre zbulimeve për kuptimin e plakjes dhe shëndetit të grave, duke sugjeruar që aftësia riprodhuese më vonë mund të jetë një tregues i vitalitetit të trupit dhe shëndetit afatgjatë. /Gazeta Shneta/


