Humbja e një kafshe shtëpiake mund të shkaktojë dhimbje emocionale po aq të thellë dhe afatgjatë sa humbja e një njeriu të afërt, tregon një studim i ri i realizuar në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas hulumtimit të publikuar në revistën shkencore PLOS One, disa pronarë kafshësh zhvillojnë çrregullim të zgjatur të pikëllimit (Prolonged Grief Disorder – PGD) pas vdekjes së kafshës së tyre, një gjendje serioze e shëndetit mendor që mund të zgjasë me muaj apo edhe vite, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Studimi ka përfshirë 975 të rritur në Mbretërinë e Bashkuar dhe ka treguar se gati një në tre persona kanë përjetuar humbjen e një kafshe shtëpiake. Nga ta, 7.5 për qind kanë përmbushur kriteret diagnostikuese për PGD – një përqindje e ngjashme me atë të personave që kanë humbur një mik të afërt.
Çrregullimi i zgjatur i pikëllimit karakterizohet nga mall i thellë për të ndjerin, ndjenjë dëshpërimi, mpirje emocionale, vështirësi në funksionimin e përditshëm dhe izolim social.
Në disa raste, individët raportojnë ndjesinë se “një pjesë e tyre ka vdekur”.
Autori i studimit, Philip Hyland, profesor i psikologjisë në Universitetin Maynooth në Irlandë, ka vlerësuar se dhimbja pas humbjes së një kafshe mund të jetë “klinikisht e rëndësishme” dhe e krahasueshme me pikëllimin pas humbjes së një personi.
Ai ka theksuar se përjashtimi i humbjes së kafshëve nga kriteret zyrtare diagnostikuese për PGD mund të lërë pa mbështetje profesionale persona që realisht kanë nevojë për ndihmë psikologjike.
Sipas vlerësimeve të studimit, rreth një në 12 raste të çrregullimit të zgjatur të pikëllimit në Mbretërinë e Bashkuar mund të lidhen me humbjen e një kafshe shtëpiake.
Autorët e studimit bëjnë thirrje që udhëzimet klinike të rishikohen, duke marrë parasysh ndikimin emocional dhe psikologjik që mund të ketë humbja e një kafshe në jetën e njerëzve./Gazeta Shneta/


