Një ekip i ekspertëve nga Evropa do të vijë në Kosovë për të realizuar studimin e fizibilitetit për të përgatitur një projekt për investim deri në 50 milionë euro për pajisje të reja në klinikat e QKUK-së.
Dokumenti që pritet të bëhet gati brenda 8 muajsh, do të jetë bazë për orientimin e investimeve në QKUK dhe spitale rajonale. Ky projekt është i financuar nga “Ëestern Balkans Investment Frameëork”, do të realizohet përmes asistencës teknike të ËBIF-IPF 6 me përkrahje të Bankës Evropiane për Investime, transmeton Gazeta Shneta.
Projekti ka për qëllim të vlerësojë gjendjen ekzistuese të infrastrukturës së pajisjeve mjekësore në kujdesin dytësor dhe tretsor shëndetësor në Kosovë, dhe nevojat për: Pajisje të reja; staf shtesë profesional; trajnime specifike të stafit për përdorimin e pajisjeve; mbështetje teknike dhe material shpenzues për pajisjet.
Ministri Ismaili ka thënë se ky projekt i hap rrugë investimit 50 milionësh. “Me kërkesën tonë ka nisur studimi i fizibilitetit për SHSKUK-në, i cili i hapë rrugë projektit prej 50 milionë eurosh për blerjen e pajisjeve mjekësore. Për 8 muaj, do ta kemi gati dokumentin strategjik, në bazë të të cilit do të investojmë kredinë 50 milionëshe në spitalet tona. Ngadalë do t’i vijë fundi edhe problemit me pajisje”, ka thënë ai.
Projekti do të zgjasë 8 muaj dhe në fund të tij ekspertët ndërkombëtarë në bashkëpunim me stafin vendor profesional do ta prezantojnë listën e pajisjeve të duhura mjekësore me specifika teknike, si dhe rekomandimet për stafin dhe trajnimet e duhura për të përdorur pajisjet mjekësore.
Ky studim do të tregojë gjendjen reale ekzistuese dhe do të mundësojë aplikimin për fonde për të siguruar pajisjet e duhura mjekësore. Studimet e tilla të mbështetura në dëshmi, nën ombrellën e Ministrisë së Shëndetësisë, janë e vetmja mënyrë për t’i pasqyruar nevojat reale të institucioneve tona shëndetësore. /Gazeta Shneta/