Një konsorcium ndërkombëtar shkencëtarësh ka identifikuar rajone të reja të gjenomit që kontrollojnë madhësinë e strukturave nënkortikale të trurit.
Studimi, i publikuar në “Nature Genetics”, tregon se këto struktura mund të parashikohen duke përdorur rezultate poligjenike – vlerësime të rrezikut gjenetik që mbështeten në qindra variante të ndryshme gjenetike, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Rezultatet poligjenike po përdoren gjithnjë e më shumë për të parashikuar gjasa të zhvillimit të sëmundjeve apo tipareve komplekse, si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës, inteligjenca ose lartësia.
Në këtë rast, studiuesit zbuluan se gjenet që ndikojnë në vëllimin e trurit lidhen edhe me sëmundjen e Parkinsonit dhe me çrregullime të tjera si ADHD, pagjumësia dhe neurotizmi.
Sipas autorit kryesor të studimit, Dr. Miguel Rentería nga Programi i Shëndetit Mendor dhe Neuroshkencës në Australi, ky hulumtim ndihmon në kuptimin më të thellë të mënyrës se si variacioni gjenetik formon dallimet individuale në sjellje, njohje dhe shëndet mendor.
Studiuesit theksojnë se këto gjetje hapin rrugë për të kuptuar më mirë mekanizmat biologjikë që qëndrojnë pas sëmundjeve neurologjike dhe mund të kontribuojnë në zhvillimin e strategjive më të sakta për parandalimin dhe trajtimin e tyre. /Gazeta Shneta/


