Alzheimeri karakterizohet nga grumbullimi i proteinave në tru, të cilat ndërhyjnë në funksionin normal të tij. Por një studim i ri tregon se këto proteina mund të kenë ndikim të rëndësishëm edhe në funksionimin e organeve të tjera.
Studiuesit zbuluan gjithashtu mekanizma që mund të shpjegojnë se si proteinat në tru mund të shkaktojnë efekte kaq të gjera në organizëm, shkruan burimi Medical News Today përcjell Gazeta Shneta.
Studimi arrin në përfundimin se proteinat e lidhura me sëmundjen e Alzheimerit nuk ndikojnë vetëm në shëndetin e trurit, por edhe përshpejtojnë plakjen biologjike, ndikojnë në metabolizmin e yndyrnave dhe në riprodhim.
Bazuar në analizën e 219 llojeve qelizore të mizave të frutave që kanë proteina të Alzheimerit në tru, studiuesit ndërtuan një Atlas të Qelizave të Alzheimerit në Mizat e Frutave (AD-FCA). Rezultatet e këtij studimi u publikuan së fundmi në revistën “Neuron”.
Si ndikon demenca në trupin e njeriut
Alzheimeri dhe format e tjera të demencës konsiderohen si sëmundje të trurit, me arsye të fortë — simptomat kryesore janë ndryshimet njohëse që përkeqësohen progresivisht me kalimin e kohës.
Për këtë arsye, shumica e kërkimeve për demencën janë përqendruar te truri dhe sistemi nervor. Por së fundmi, shkencëtarët po shqyrtojnë më thellë ndikimin që mund të ketë Alzheimeri edhe në pjesë të tjera të trupit.
Autorët e studimit të ri shpjegojnë se të dhënat e fundit sugjerojnë se efektet e Alzheimerit shtrihen përtej sistemit nervor. Për shembull, Alzheimeri “është lidhur me çrregullime në mikrobiomën e zorrëve, funksionin kardiovaskular dhe ekuilibrin hormonal.”
Ata gjithashtu theksojnë se inflamacioni dhe ulja e funksionit të sistemit imunitar mund të kontribuojnë në përparimin e sëmundjes. Është gjithnjë e më e qartë se Alzheimeri nuk është i kufizuar vetëm në tru. /Gazeta Shneta/


