Një ekip studiuesish nga Université Sorbonne Paris Nord dhe Université Paris Cité ka zbuluar se konsumimi i lartë i disa konservantëve të përdorur gjerësisht në ushqimet e përpunuara mund të lidhet me një rrezik më të madh për zhvillimin e hipertensionitdhe sëmundjeve kardiovaskulare.
Përfundimet vijnë nga studimi francez NutriNet-Santé, një nga projektet më të mëdha në botë për ushqyerjen dhe shëndetin, shkruan PMC, transmeton Gazeta Shneta.
Në studim u përfshinë 112,395 të rritur, të cilët u ndoqën për një periudhë mesatare prej 7.9 vitesh. Gjatë kësaj kohe, pjesëmarrësit raportuan në mënyrë të detajuar ushqimet dhe pijet që konsumonin, ndërsa studiuesit vlerësuan ekspozimin ndaj 58 konservantëve të ndryshëm që përdoren në industrinë ushqimore.
Gjatë ndjekjes u regjistruan 5,544 raste të reja me hipertension dhe 2,450 raste me sëmundje kardiovaskulare.
Studiuesit i ndanë konservantët në dy grupe kryesore: jo-antioksidantë, si nitritet, sulfitet dhe sorbatet, dhe antioksidantë, si acidi askorbik (vitamina C), acidi citrik dhe eritorbatet.
Analiza tregoi se personat me konsumin më të lartë të konservantëve jo-antioksidantë kishin 29% rrezik më të lartë për të zhvilluar hipertension dhe 16% rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare krahasuar me ata që konsumonin më pak.
Edhe konsumimi i lartë i konservantëve antioksidantë u shoqërua me një 22% rritje të rrezikut për hipertension.
Nga 17 konservantët më të përdorur në dietën e pjesëmarrësve, tetë rezultuan të lidhur me një rrezik më të lartë për hipertension, ndërsa njëri u shoqërua me një rrezik më të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Midis tyre përfshihen sorbati i kaliumit, nitriti i natriumit, metabisulfiti i kaliumit, acidi citrik dhe disa derivate të vitaminës C.
Autorët theksojnë se studimi është vëzhgues, prandaj nuk provon se konservantët janë shkaku i drejtpërdrejtë i hipertensionit ose sëmundjeve të zemrës. Megjithatë, rezultatet janë mjaftueshëm të rëndësishme për të kërkuar studime të mëtejshme dhe një rivlerësim të sigurisë së disa konservantëve ushqimorë nga autoritetet rregullatore.
Deri atëherë, studiuesit rekomandojnë që konsumatorët të favorizojnë ushqimet e freskëta ose minimalisht të përpunuara dhe të kufizojnë produktet industriale me shumë aditivë. /Gazeta Shneta/


