Personat me obezitet kanë 70 për qind rrezik më të lartë për t’u shtruar në spital ose për të humbur jetën nga sëmundje infektive, sipas një studimi të ri të publikuar në revistën shkencore The Lancet.
Sipas hulumtimit, obeziteti lidhet me forma më të rënda të infeksioneve si gripi, COVID-19, pneumonia dhe infeksionet e traktit gastrointestinal.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 67 mijë të rriturve në Finlandë dhe mbi 470 mijë personave në Mbretërinë e Bashkuar. Pjesëmarrësit u ndoqën për rreth 13 deri në 14 vjet.
Rezultatet treguan se krahasuar me personat me peshë normale, ata me obezitet kishin 70 për qind më shumë gjasa të përfundonin në spital ose të vdisnin nga një sëmundje infektive.
Rreziku rritej edhe më shumë me shtimin e peshës trupore. Personat me obezitet të rëndë kishin trefish rrezik më të lartë.
Sipas autorëve të studimit, obeziteti mund të dobësojë sistemin imunitar dhe ta bëjë trupin më pak të aftë për të luftuar viruset, bakteret dhe infeksionet e tjera. Megjithatë, studiuesit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të kuptuar plotësisht mekanizmat biologjikë.
Në nivel global, ekspertët vlerësojnë se 9 deri në 11 për qind e vdekjeve nga sëmundjet infektive mund të jenë të lidhura me obezitetin.
Në disa vende, si Shtetet e Bashkuara, kjo përqindje arrin mbi 25 për qind.
Obeziteti vazhdon të jetë në rritje në shumë vende të botës. Sipas të dhënave evropiane, rreth 17 për qind e të rriturve në Evropë janë obezë, ndërsa më shumë se gjysma janë mbipeshë.
Autorët e studimit bëjnë thirrje për politika që promovojnë ushqimin e shëndetshëm, aktivitetin fizik dhe parandalimin e obezitetit, me qëllim uljen e rrezikut nga infeksionet dhe probleme të tjera serioze shëndetësore./Gazeta Shneta/


