Një studim i ri nga Universiteti i Tsukubas tregon se individët që ruajnë një rutinë të moderuar dhe të rregullt të gjumit çdo ditë tregojnë performancë më të mirë kognitive.
Hulumtimi gjithashtu sugjeron se ekuilibri në oraret e gjumit mund të ndikojë në nivelet e biomarkerëve të lidhur me sëmundjen e Alzheimerit.
Në studim morën pjesë 458 individë të moshës 45–89 vjeç, të cilët raportuan probleme të vetëvlerësuara të kujtesës ose gjumit.
Secili prej tyre mbante një akselerometër tre-aksial në dorën jo-dominante për 24 orë gjatë shtatë ditëve, ndërsa po ashtu iu nënshtruan testeve standarde kognitive dhe analizave të gjakut për të matur nivelin e BDNF, një proteinë e rëndësishme për shëndetin e trurit.
Rezultatet, të publikuara në revistën Sleep Medicine, treguan se sa më të rregullta të jenë oraret e gjumit, aq më e lartë është performanca globale kognitive.
Megjithatë, nivelet e BDNF formuan një marrëdhënie në formë “U të anasjelltë” më të larta tek pjesëmarrësit me rutinë të moderuar dhe më të ulëta tek ata me gjumë shumë të parregullt ose tepër të rreptë.
Sipas studiuesve, kjo tregon se një rutinë e moderuar dhe e qëndrueshme e gjumit mbështet shëndetin kognitiv dhe fleksibilitetin adaptues ndaj ndryshimeve të përditshme, ndërsa një rutinë tepër e rreptë mund të ketë efekt të kundërt.
Ky studim thekson rëndësinë e balancës në oraret ditore dhe mund të ofrojë udhëzime të rëndësishme për strategjitë e ardhshme në parandalimin e Alzheimerit dhe demencës./Gazeta Shneta.


