Një studim i ri sjell një arsye tjetër për të konsumuar më shumë perime: dieta të pasura me fibra mund të ndihmojnë në uljen e niveleve të PFAS, të njohura si “kimikatet e përjetshme”, në trupin tonë.
PFAS gjenden në ujin e pijshëm, tokë, ushqim dhe ajër, dhe ekspozimi ndaj tyre mund të lidhet me kancer, kolesterol të lartë dhe probleme riprodhuese. Sipas studimeve me kafshë, fibra mund të ndihmojë në largimin e këtyre kimikateve nga trupi, shkruan burimi Very Well Health transmeton Gazeta Shneta.
Studiuesit analizuan mostra gjaku nga 72 burra të rritur me kolesterol të lartë, pjesë e një studimi më të hershëm që kishte testuar efektin e një pijeje të pasur me fibra nga tërshëra.
Pas konsumimit për katër javë të kësaj pijeje, pjesëmarrësit kishin përqendrime më të ulëta të PFAS-ve, krahasuar me ata që kishin marrë një pije alternative me më pak fibra.
Fibrat krijojnë një xhel në zorrë që pengon thithjen e yndyrnave dhe ul kolesterolin. E njëjta mënyrë mund të ndihmojë edhe në largimin e PFAS-ve duke i lidhur ato dhe duke parandaluar thithjen në gjak.
Shtimi i fibrave në dietë sjell shumë përfitime të tjera shëndetësore, si ulja e rrezikut për diabet dhe kancer të zorrës së trashë. Rekomandohet 25–30 gram fibra në ditë, por shumica nuk e arrijnë këtë sasi. Shtojini fibrat gradualisht dhe qëndroni të hidratuar për të shmangur fryrjen dhe gazrat. /Gazeta Shneta/


