Një studim i ri ka paralajmëruar se slushiet pa sheqer që përmbajnë glicerol, një zëvendësues sheqeri, mund të kenë efekte toksike te fëmijët e vegjël. Këto pije të ftohta janë të njohura, por mund të shkaktojnë nivele të rrezikshme të ulëta të sheqerit në gjak dhe çrregullime metabolike te fëmijët deri në 7 vjeç.
Në studimin që përfshiu 21 fëmijë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Irlanda, thuhet se shumica e fëmijëve u sëmurën brenda një ore pas konsumimit të slushieve me glicerol. Gati të gjithë ata humbën ndërdijen ose ishin gjysmë të vetëdijshëm kur arritën në spital, dhe 20 prej tyre kishin nivele shumë të ulëta të sheqerit në gjak, si dhe simptoma të tjera metabolike, përfshirë nivele të ulëta të kaliumit, acidozë të tepërt laktike dhe nivele të larta të triglicerideve.
Fati i mirë është se të gjithë fëmijët u shëruan shpejt pasi nivelet e sheqerit u stabilizuan, por studiuesit theksojnë se mjekët dhe prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun e helmimit nga gliceroli.
Sipas tyre, fëmijët e vegjël mund të jenë më të ndjeshëm ndaj glicerolit për shkak të trupave të tyre të vegjël dhe metabolizmit që ende nuk është plotësisht i zhvilluar për të procesuar alkoholët e sheqerit në mënyrë efikase.
Përveç slushieve, gliceroli përdoret gjithashtu në produkte të tjera si baret dhe shake-t e proteinave, ushqime dietike, frutat e thata, çamçakëzët dhe çokollatat pa sheqer. Gliceroli është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA për përdorim si aditiv ushqimor./GazetaShneta/


