Një studim i ri shkencor ka hedhur dritë mbi arsyet pse disa pacientë përfitojnë më shumë nga ilaçet për humbje peshe, ndërsa të tjerët shohin rezultate minimale.
Sipas hulumtimit, faktorët gjenetikë mund të luajnë një rol kyç në këtë dallim, shkruan Euronews Health, transmeton Gazeta Shneta.
Ilaçet e njohura për menaxhimin e peshës si Ozempic, Mounjaro dhe Zepbound kanë revolucionarizuar trajtimin e obezitetit vitet e fundit. Megjithatë, efektiviteti i tyre ndryshon ndjeshëm nga një pacient te tjetri—disa humbin më pak se 5% të peshës trupore, ndërsa të tjerë mbi 20%.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, analizoi të dhënat e rreth 28 mijë personave që kishin përdorur këto medikamente për një periudhë mesatare prej mbi 8 muajsh.
Rezultatet treguan se disa variante gjenetike ndikojnë në mënyrën se si organizmi reagon ndaj këtyre ilaçeve. Një variant specifik në receptorin GLP-1 lidhej me efekt më të lartë në humbjen e peshës—personat që e mbartnin këtë variant humbnin mesatarisht rreth 0.76 kilogramë më shumë krahasuar me të tjerët.
Në të njëjtën kohë, një variant tjetër gjenetik u lidh me efekte anësore si të përzierat dhe të vjellat, veçanërisht te pacientët që përdornin medikamente me bazë tirzepatide, por pa ndikuar drejtpërdrejt në nivelin e humbjes së peshës.
Ekspertët theksojnë se, megjithëse gjenetika ka ndikim, ajo nuk është faktori i vetëm. Elementë të tjerë si gjinia, lloji i ilaçit, doza dhe kohëzgjatja e trajtimit luajnë rol edhe më të madh në rezultatet përfundimtare.
Studiuesit e konsiderojnë këtë zhvillim si një hap drejt trajtimeve të personalizuara në menaxhimin e obezitetit. Qasja e re, e njohur si farmakogjenomikë, synon të përcaktojë paraprakisht se cilët pacientë do të përfitojnë më shumë nga një terapi e caktuar dhe cilët janë më të rrezikuar nga efektet anësore.


