Hulumtimet e reja tregojnë se trajtimi i humbjes së shikimit dhe kolesterolit të lartë mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut të demencës.
Këto dy gjendje janë shtuar në një listë ekzistuese prej 12 faktorësh të modifikueshëm të rrezikut për demencën, të cilët përfshijnë gjithashtu pirjen e duhanit, obezitetin dhe hipertensionin, shkruan burimi Health përcjell Gazeta Shneta.
Sipas një raporti të ri, trajtimi i humbjes së shikimit dhe ulja e kolesterolit LDL mund të ndihmojnë në reduktimin e rrezikut të zhvillimit të demencës.
Studimi i ri identifikoi këta dy faktorë të rinj të rrezikut duke shqyrtuar meta-analiza, kërkime dhe studime të fundit mbi këtë temë. Analiza e tyre tregoi se rreth 7% e të gjitha rasteve të demencës mund të lidhen me nivelin e lartë të kolesterolit LDL në moshën e mesme dhe 2% e rasteve mund të lidhen me humbjen e patrajtuar të shikimit në pleqëri.
Ky hulumtim i ri u botua në “The Lancet” më 31 korrik dhe u përgatit nga 27 studiues të demencës që janë pjesë e Komisionit të revistës “Lancet” për demencën.
Në vitin 2020, ky komision identifikoi 12 faktorë të modifikueshëm të rrezikut që mund të çojnë në zhvillimin e demencës. Këta janë:
– Mungesa e aktivitetit fizik.
– Pirja e duhanit.
– Konsumi i tepërt i alkoolit.
– Ndotja e ajrit.
– Lëndimet në kokë.
– Mungesa e kontakteve sociale.
– Arsimi i pamjaftueshëm.
– Obeziteti.
– Hipertensioni.
– Diabeti.
– Depresioni.
– Humbja e dëgjimit
Këta 12 faktorë të parë ishin të lidhur me 40% të rasteve të demencës.
Sidoqoftë, trajtimi i të gjithë 14 faktorëve—përfshirë humbjen e patrajtuar të shikimit dhe nivelin e lartë të kolesterolit LDL—mund të ndihmojë në parandalimin ose vonimin e deri në 45% të rasteve të demencës, sipas raportit. /Gazeta Shneta/


