Një ekip studiuesish ka zhvilluar një kamerë robotike kirurgjikale të frymëzuar nga funksionimi i syrit të njeriut, e cila mund të përmirësojë sigurinë dhe efikasitetin e ndërhyrjeve kirurgjikale minimale invazive.
Pajisja është zhvilluar nga studiues të University of Florida dhe University of Tennessee, nën drejtimin e studiuesve Shuai Li dhe Jindong Tan.
Kamera përdor inteligjencën artificiale dhe lëvizet me anë të fushave magnetike, ndërsa është projektuar të funksionojë në mënyrë të ngjashme me syrin e njeriut. Ajo “pulit sytë”, pastron automatikisht lenten kur ajo ndotet dhe përshtat pozicionin për të siguruar pamjen më të mirë gjatë operacionit.
Gjatë operacioneve laparoskopike, kamera futet në trup përmes një prerjeje të vogël për t’i mundësuar kirurgut të shohë organet e brendshme. Megjithatë, nëse lentja mbulohet nga gjaku, tymi ose lëngje të tjera, ajo duhet të hiqet dhe të pastrohet, duke ndërprerë procedurën dhe duke humbur kohë të vlefshme.
Sipas studiuesve, sistemi i ri është në gjendje të identifikojë automatikisht ndotjen e lentes me ndihmën e inteligjencës artificiale dhe të aktivizojë një mekanizëm të ngjashëm me qepallën e syrit, i cili pastron kamerën pa qenë nevoja të hiqet nga trupi. Pajisja përfshin gjithashtu një grykë ajri që largon tymin e krijuar gjatë ndërhyrjes kirurgjikale, duke përmirësuar dukshmërinë.
Studiuesi Shuai Li tha se ideja është frymëzuar nga mënyra se si syri i njeriut largon papastërtitë përmes pulitjes dhe lotëve, ndërsa inteligjenca artificiale vepron si “truri” i sistemit, duke kontrolluar pastrimin dhe lëvizjen e kamerës.
Përveç përdorimit në kirurgji, teknologjia mund të ketë zbatim edhe në misionet hapësinore. Sipas ekipit hulumtues, sistemi mund të ndihmojë robotët që në të ardhmen do të ndërtojnë habitate në Hënë, ku pluhuri i imët dhe mbeturinat mund të pengojnë kamerat dhe pajisjet vizuale.
Studiuesit besojnë se kjo teknologji mund të ndihmojë në përmirësimin e rezultateve kirurgjikale, duke u mundësuar kirurgëve një pamje të qartë gjatë gjithë procedurës dhe duke reduktuar ndërprerjet gjatë operacionit.


