Në vitin 2022, rreth 19.8 milionë njerëz në mbarë botën humbën jetën nga sëmundjet e zemrës, dhe afërsisht 85% e këtyre vdekjeve iu atribuohen goditjeve në tru dhe sulmeve në zemër.
Studime të mëparshme kanë treguar se infeksionet bakteriale mund të jenë faktor rreziku për sëmundjet e zemrës, duke u lidhur gjithashtu me rritjen e grumbullimit të pllakës arteriale, shkruan Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Një studim i ri ka identifikuar baktere të caktuara, zakonisht të pranishme në gojë dhe fyt, të cilat studiuesit besojnë se mund të shërbejnë si shkaktarë të sulmeve në zemër.
Një sulm në zemër, i njohur mjekësisht si infarkt miokardi, ndodh kur bllokimi i enëve të gjakut pengon qarkullimin e gjakut drejt zemrës. Ky bllokim shkaktohet nga mpiksja e gjakut, spazma e arteries koronare ose grumbullimi i pllakës së përbërë pjesërisht nga kolesteroli — proces i njohur si aterosklerozë.
Prof. Pekka J. Karhunen nga Universiteti i Tampere në Finlandë, autor kryesor i studimit të publikuar në “Journal of the American Heart Association”, shpjegoi se:
“Prej kohësh është marrë në konsideratë mundësia që agjentët infektivë të jenë të përfshirë në inflamacionin kronik të pllakave koronare. Kjo teori u braktis para 20 vitesh për shkak të rezultateve të dështuara të provave me antibiotikë, por interesimi është rikthyer falë metodave moderne që mundësojnë identifikimin e ADN-së bakteriale edhe në sasi shumë të vogla.”
Studiuesit analizuan mostra pllakash koronare nga 121 persona që kishin vdekur papritur nga arresti kardiak dhe nga 96 pacientë që iu nënshtruan kirurgjisë për pastrimin e arterieve.
Ata zbuluan se bakteret e grupit streptokokë, zakonisht të pranishme në gojë, pështymë dhe pllakë dentare, ishin më të zakonshmet në këto mostra.
Sipas Karhunen, këto baktere formojnë biofilm dentar dhe mund të përfshihen edhe në pllakën aterosklerotike. Kur ky biofilm aktivizohet, bakteret mund të depërtojnë në arterie, duke shkaktuar inflamacion, këputje të pllakës dhe formimin e mpiksjes së gjakut.
Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu mundësinë e një vaksine për të parandaluar këtë proces. /Gazeta Shneta/


