Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmë dy persona pasi kanë sulmuar dy infermierë në Spitalin e Mitrovicës.
Rasti ka ndodhur pasditen e djeshme kur familjarët e pacientëve kanë sulmuar infermierët me iniciale F.M. dhe A.H. të cilët kanë marr lëndime trupore, shkruan Gazeta Shneta.
Policia e Kosovës bën të ditur se viktimat kanë pranuar tretman mjekësor pas sulmit, ndërsa të dyshuarit pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.
Rastin e ka konfirmuar edhe SHSKUK të cilët në një njoftim e kanë dënuar sulmin dhe kanë kërkuar nga organet e hetuesisë që të merren me rastin.
“Infermierët e sulmuar nga familjarët e pacientëve janë: F.M dhe A.H, të cilët kanë marrë lëndime trupore. SHSKUK e dënon dhe cilëson si të pa pranueshëm sulmin ndaj punëtorëve shëndetësorë, duke kërkuar nga organet kompetente që të merren me rastin në fjalë. Përkundër sulmit fizik ndaj infermierëve, pacientët janë trajtuar nga stafi i shërbimit emergjent”, thuhet në njoftim.
Një infermier tjetër është sulmuar para disa javësh në këtë spital, ndërsa dy mjek të tjerë – njëri në Spitalin e Ferizajt dhe tjetri në QKUK u sulmuan para disa ditësh. /Gazeta Shneta/