Blerim Syla ka deklaruar se s’do ta dorëzojë detyrën e kreut të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë deri në një vendim të gjykatës, pas kallëzimit penal që ai ka ngritur ndaj disa punonjësve të FSSHK-së.
Gjatë ditës së djeshme është mbajtur Kongresi i FSSHK-së nga ku kryetare u zgjodh Tevide Imeri. FSSHK më pas doli me një njoftim se javën tjetër do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës, shkruan Gazeta Shneta.
Por duket se kjo nuk do të ndodhë, së paku dorëzimi i detyrës nga Blerim Syla. Ai ka thënë se pozita e Kryetarit të Federatave të Sindikatave të Shëndetësisë do të mbetet pezull deri në vendimin e gjykatës lidhur me këtë çështje.
“Ky kongres është thirr nga njerëz jolegjitim, për të cilin edhe është bërë kallëzim penal. Një njeri, i cili është në pension është zgjedhur, prandaj i gjithë procesi është i dyshuar, por unë nuk do të deklarohem më shumë pasi që vetëm sot kanë filluar hetimet dhe do të shkojmë të tregojnë në prokurori. Si të vendos Gjykata, unë e respektoj atë vendim. Unë do të shikoj si ka shkuar ky proces, do të shkoj me avokat që ta bëjë dorëzim-pranimin. Pa prezencën e avokatit nuk shkoj. Pozita në krye të FSSHK-së mbetet pezull deri në vendimin e Gjykatës”, ka deklaruar Syla për Demokracia.
Syla ka ngritur një kallëzim penal ndaj disa punonjësve të FSSHK-së me pretendimin se të njëjtit kanë bërë shkelje dhe kanë keqpërdorur pozitën zyrtare të sindikatë. /Gazeta Shneta/