Dy shoferët e njërës nga katër autoambulancat e Spitalit Rajonal në Mitrovicë ia mësyen këtë të diel fshatit Bare të Komunës së Mitrovicës së Jugut.
Nga spitali për në fshatin Bare ata u nisën për të marrë nënën e njërit nga shoferëve të autoambulancës. Rasti nuk ishte urgjent.
Sipas Udhëzimit Administrativ rastet familjare trajtohen vetëm nga ekipa e Mjekësisë Familjare por jo nga spitali.
Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare ka për obligim të dërgoj autoambulancën në rastet urgjente tek pacienti ndërsa spitali ka për obligim të bëjë transportin vetëm për në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – në këtë rast nuk është respektuar Udhëzimi Administrativ.
Pacienten shkuan të marrin vetëm dy shoferët – njëri prej tyre është djali i pacientës. Të pranishëm gjatë marrjes së pacientes nuk ka qenë mjeku kujdestar dhe asnjë infermier.
Një situatë të tillë e ka konfirmuar drejtoresha e Spitalit Rajonal të Mitrovicës, Luljeta Zhubi.
Sipas drejtoreshës ngjarja ka ndodhur gjatë kohës sa vozitësi ka qenë në orar të punës. Gjatë një ndrrimi është vetëm një shofer i autoambulancës kështu gjatë kohës sa autoambulanca ka qenë rrugës për në Bare spitali ka qenë pas asnjë shofer.
“Vozitësi në ndrrim e ka dërguar vozitësin tjetër me marrë nënën e tij dhe me e sjelle në spital që paska qenë e sëmurë dhe ka qenë me vendbanim në fshatin Bare. Kanë shku dy vozitsat, njëri që ka qenë ne ndrrim tjetri e ka pasë nënën të sëmurë. Ka shku me autoambulancë pasi që paska deshtë me i ndihmu kolegut e me pru nanën në spital”, e konfirmon drejtoresha.
Që rasti nuk ka qenë urgjent por vetëm për kontrollë, e thotë edhe drejtoresha e spitali.
“Nuk ka qenë urgjencë e veçantë që me shku mjeku apo motra vetëm se e kanë sjellë për kontrollë në spital”, sqaron gjithashtu Zhubi ndërsa shton se për këtë situatë, pas dërgimit të videve nga Gazeta Shneta tek drejtoresha e spitalit ka kërkuar sqarim nga të dy vozitësit.
Gazeta Shneta ka tentuar të flas me vozitësin – djalin e pacientës, Bajram Feratin, por i njejti ka kërkuar që mos ta thërrasim.
“Mos më thirrni më. Jam nxënë me një rast”, tha shkurtimisht ai.
Në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë janë shtatë shofer gjithësej, pesë prej tyre janë shofer të autoambulancave me nga 12 orë punë në ditë. /Gazeta Shneta/